Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë dha një mesazh me rastin e 8 Dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë.
Sot, Shqipëria feston Ditën Kombëtare të Rinisë, duke shënuar 34 vjet që kur studentët dhe të rinjtë shqiptarë u ngritën kundër një prej regjimeve më të ashpra komuniste të Evropës, duke shënuar rënien e tij dhe duke formësuar të ardhmen e kombit. Rinia e sotme vazhdon të formësojë të ardhmen e Shqipërisë dhe Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me ju ndërsa ecni përpara në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Sot shënohet 8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë. E shpallur prej vitit 2009 nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 e gjithë rinisë shqiptare. Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të Tiranës, u bënë nismëtarë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.
Me shprehjen “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, ata kërkuan ngritjen e sistemit të vlerave perëndimore e të shtetit të së drejtës; integrimin në Evropë, si edhe garantimin e pluralizmit politik si bazë kryesore për një shoqëri të lirë e demokratike.
Lëvizja Studentore e vitit 1990 është e vetmja lëvizje paqësore që ndryshoi historinë e Shqipërisë. Akti publik, sa qytetar aq edhe politik, në mënyrë paqësore i dha fund epokës të gjatë të vetizolimit e të sundimit ideologjik, duke i hapur rrugën ekonomisë së tregut e po ashtu shoqërisë së hapur.
Vlerat e kësaj dite bëhen gjithnjë e më shumë kombëtare, sepse ndryshe nga ngjarjet e tjera, 8 Dhjetori nuk pati dy palë, një fituese e një të humbur.
Një mesazh edhe nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Kryetari i shtetit shkruan se “34 vjet më parë, studentët progresistë shqiptarë ndryshuan rrjedhën e historisë së Shqipërisë”.
Lëvizja popullore që rrëzoi diktaturën dhe çoi në lindjen e pluralizmit, nisi dhe u frymëzua nga studentët. Lëvizja e Dhjetorit ‘90 ishte ndezja e flakës së një populli në kërkim të lirisë, demokracisë dhe vlerave perëndimore. Më 8 Dhjetor, Ditën Kombëtare të Rinisë, ne nderojmë lëvizjen e brezit të studentëve që rrëzuan diktaturën dhe festojmë shpirtin rinor të brezave që do ta çojnë gjithnjë përpara Shqipërinë. Sot, të gjithë frymëzohemi nga akti qytetar dhe politik i dhjetorit ‘90 për të bërë realitet aspiratën e shprehur në thirrjen epike: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa!”. Nder përjetë!