Ish presidenti Ilir Meta, i cili ndodhet në qeli prej tetorit, ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën kundër vendimit të Gjykatës së Lartë që e la në arrest me burg.
LEXO EDHE: Intervista televizive penalizon Metën! Kreu i PL dënohet sërish, s’ka stërvitje për 14 ditë!
Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, Meta pretendon se vendimet e 3 gjykatave: Gjykatës Lartë, Gjykatës së Apelit, dhe Gjykatës së Shkallës të Parë, për masën arrest me burg ndaj tij, janë antikushttetuese dhe se kanë kanë cënuar rëndë liritë, Kushtetutën, ligjin procedural penal, por edhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Më 26 qershor, pas një seance që zgjati afro 4 orë, Gjykata e Posaçme la në fuqi të masën e “arrestit me burg” për ish-presidentin Meta.
Mes debatesh me prokurorin Sotir Kllapi, i cili përfaqësonte akuzën në këtë proces, kreu i Partisë së Lirisë pretendoi se akuzat ndaj tij nuk qëndrojnë, ndërsa sa i takon episodeve të korrupsionit, duke pranuar ekzistencën e tyre ia atribuoi të gjitha ish bashkëshortes, Monika Kryemadhi.
Përdorimin e kartave të kreditit të dhëna nga biznesmeni Adrian Shatku, që SPAK e cilëson si mitin në këmbim të akteve të korrupsionit, Ilir Meta thotë se ishin të Monikës, dhe kur e mori vesh ai kërkoi divorcin me të.
Për Metën, Kryemadhi kishte kryer kështu një shkelje të rëndë të besimit, të ligjit për një politikane me përvojë, por edhe në dëm të kauzave të tij politike.