Tech

Meta në bisedime mbi investimin në Scale AI!

Meta Platforms është në bisedime për të bërë një investim që mund të kalojë 10 miliardë dollarë në startup-in e inteligjencës artificiale Scale AI. Kushtet e marrëveshjes nuk janë finalizuar ende dhe mund të ndryshojnë ende, tha raporti, duke cituar njerëz të njohur me çështjen. E themeluar në vitin 2016, Scale AI është një startup për etiketimin e të dhënave i mbështetur nga gjigantët e teknologjisë Nvidia, Amazon dhe Meta. E vlerësuar së fundmi me gati 14 miliardë dollarë, Scale AI gjithashtu ofron një platformë për studiuesit për të shkëmbyer informacione të lidhura me IA-në.

Gjiganti teknologjik amerikan, Meta, mund t’i përdorë postimet në platformat e veta, Facebook dhe Instagram, nga përdoruesit në Bashkimin Europian për ta trajnuar softuerin e tij të Inteligjencës Artificiale (IA), Meta AI, pasi afati për refuzim nga përdoruesit skadoi sot. Për t’i përmirësuar modelet e veta të IA-së, kompania planifikon ta analizojë të gjithë përmbajtjen publike të publikuar nga përdoruesit e rritur nëpër vendet e BE-së, me përjashtim të postimeve nga përdoruesit që kanë kundërshtuar. Një gjykatë gjermane hodhi poshtë një ankesë nga Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorëve në landin perëndimor të Renit Verior-Vestfalisë. Kjo agjenci akuzoi Meta-n për shkeljen e rregullave të Bashkimit Europian lidhur me mbrojtjen e të dhënave.

Ndërkaq, Meta ka ndaluar një faqe të njohur lajmesh myslimane në Instagram në Indi me kërkesë të qeverisë, duke e denoncuar masën si “censurë” ndërsa armiqësitë përshkallëzohen midis Indisë dhe Pakistanit. Përdoruesit e Instagramit në Indi që përpiqeshin të aksesonin postimet e llogarisë Muslim, një faqe me 6.7 milionë ndjekës, u ndeshën me një mesazh ku thuhej: “Llogaria nuk disponohet në Indi. Kjo ndodh sepse ne respektuam një kërkesë ligjore për të kufizuar këtë përmbajtje”. “Kam marrë qindra mesazhe, emaile dhe komente nga ndjekësit tanë në Indi, se ata nuk mund të hyjnë në llogarinë tonë”-tha në një deklaratë Ameer Al-Khatahtbeh, themeluesi dhe kryeredaktori i llogarisë.