Health & Beauty

Migrena dhe dhimbjet e kokës, sfida për shëndetin publik!

Migrena dhe dhimbjet e kokës mbeten ndër çrregullimet më të zakonshme dhe që shkaktojnë paaftësi në botë, duke prekur mbi një të tretën e popullsisë globale. Ato kërkojnë njohje shumë më të madhe në politikat e shëndetit publik.

Studimi i drejtuar nga ekspertë të Neurologjisë nga universiteti “La Trobe” e “Western Health”, si dhe i botuar në “Cell Reports Medicine”, analizoi të dhënat nga studimi global i barrës së sëmundjeve, lëndimeve dhe faktorëve të rrezikut (GBD) që mbulon 204 vende dhe territore midis viteve 1990-2021.

Zbulon se 2,8 miliardë njerëz në të gjithë botën jetojnë me çrregullime të dhimbjeve të kokës, duke i bërë ato një shkak kryesor të viteve të jetuara me paaftësi (YLD).

Sipas studimit, stilet moderne të jetesës të karakterizuara nga stresi, sjellja sedentare, konsumi i alkoolit dhe kafeinës dhe gjumi me cilësi të dobët vazhdojnë të nxisin prevalencën e dhimbjeve të kokës.

Pandemia COVID-19 solli gjithashtu sfida të reja, me pacientët që raportojnë dhimbje koke akute ose kronike pas infeksionit SARS-CoV-2 ose vaksinimit.

Këto probleme të reja të dhimbjes së kokës, të kombinuara me rritjen e stresit psikologjik, aksesin e ndërprerë në kujdesin shëndetësor dhe faktorët socialë, mund ta kenë komplikuar më tej një çështje tashmë urgjente të shëndetit publik, thuhet në raport.

Studimi tregon se gratë e moshës 30-44 vjeç dhe personat që jetojnë në vende me të ardhura më të larta preken në mënyrë disproporcionale. Ndërsa migrena ndodh më rrallë se dhimbjet e kokës të tipit tension, ato janë dukshëm më invalidizuese, thonë studiuesit.

Autori kryesor, prof. Tissa Wijeratne shprehet se pavarësisht përparimeve në diagnostikim dhe trajtim, prevalenca globale e çrregullimeve të dhimbjes së kokës nuk ka gjasa të bjerë, për shkak të faktorëve të vazhdueshëm të rrezikut dhe aksesit të kufizuar në kujdesin profesional.

Përdorimi i kufizuar i kujdesit shëndetësor profesional dhe mbështetja e tepërt në trajtimet pa recetë vazhdojnë të pengojnë progresin.

Wijeratne bëri thirrje për ndërhyrje të përshtatura dhe më shumë fonde për kujdesin shëndetësor.