Këngëtarja dhe aktorja Miley Cyrus ka emocionuar fansat e saj duke zbuluar se do të jetë pjesë e një specialeje për 20-vjetorin e serialit të famshëm Hannah Montana.
Një video paralajmëruese e publikuar në Instagram tregoi vetëm një fragment nga personazhi i saj ikonik, duke nxitur menjëherë reagime entuziaste nga fansat.
Në serialin e suksesshëm të Disney Channel, që u transmetua nga viti 2006 deri në 2011, Cyrus interpretoi Miley Stewart, një adoleshente që bënte një jetë të dyfishtë si këngëtarja e famshme Hannah Montana.
Specialja pritet të transmetohet në Disney+ më 24 mars dhe do të përfshijë një intervistë të artistes nga moderatorja Alex Cooper, prezantuese e podcastit Call Her Daddy.
Sipas njoftimit zyrtar, eventi do të festojë serialin që ka shënjuar një brez të tërë dhe do të ofrojë një vështrim intim mbi krijimin e personazhit dhe ndikimin e tij në kulturën pop.
Programi do të rikthejë momente ikonike nga seriali, duke ringjallur edhe skena të njohura si garderoba e Hannah Montana dhe dhoma e familjes Stewart, ndërsa fansat do të kenë mundësi të shohin edhe pamje të papublikuara më parë.
Në një deklaratë, Cyrus u shpreh se personazhi i Hannah Montana do të jetë gjithmonë pjesë e identitetit të saj.
Ajo që nisi si një serial televiziv u kthye në një përvojë të përbashkët që formësoi jetën time dhe të shumë fansave. Ky përvjetor është mënyra ime për t’i falënderuar për mbështetjen ndër vite
-tha artistja.
Ende nuk është konfirmuar nëse ajo do të performojë këngët ikonike të personazhit, pasi më parë kishte treguar se pas largimit nga Disney nuk ishte lejuar të interpretonte muzikën e Hannah Montana.
Megjithatë, kufizimi u ho pasi Cyrus u nderua me titullin “Disney Legend” në vitin 2024, duke i hapur rrugë performancave të mundshme në të ardhmen.
Lajmi për rikthimin e saj në universin e Hannah Montana ka ngjallur nostalgji të madhe te fansat, të cilët e konsiderojnë serialin një pjesë të rëndësishme të fëmijërisë së tyre.