Sport

Miqësorja me Gjibraltarin dhe sfida me Letoninë, Sylvinho publikon listën!

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit do të luajë dy sfida në muajin shtator. Në datën 4, kuqezinjtë kanë një përballje miqësore në udhëtim kundër Gjibraltarit, ndërsa më 9, në Tiranë vjen Letonia, sfidë që luhet në orën 20:45 dhe vlen për Grupin K kualifikues në Kupën e Botës 2026.

Trajneri i kuqezinjve, Sylvinho ka zbardhur edhe listën me emrat e 25 futbollistëve që do ketë të gatshëm në këto duele, sidomos për atë në Tiranë. Mungon vetëm Ardian Ismajli i Torinos për shkak të lëndimit.

Grumbullimi i Kombëtares do të nisë të hënën, më 1 shtator, në Malaga, ku kuqezinjtë do të përgatiten për ndeshjen miqësore ndaj Gjibraltarit, e cila do të luhet më 4 shtator në stadiumin “Europa Point”, në orën 18:00.

Më pas, më 5 shtator, Kombëtarja rikthehet në Tiranë për të vijuar përgatitjet në kuadër të ndeshjes kyçe kualifikuese ndaj Letonisë, që do të zhvillohet më 9 shtator, në stadiumin “Air Albania”, në orën 20:45.

Në Grupin K të Kupës së Botës 2026, Shqipëria me pesë pikë pas katër ndeshjeve mban vendin e dytë, katër më pak se Anglia kryesuese. Serbia me katër pikë mban vendin e tretë, por serbët kanë dy ndeshje të luajtura më pak se ne.

Lista e plotë:

Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Mario Dajsinani

Mbrojtës: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Marash Kumbulla, Adrian Bajrami, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti

Mesfushorë: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Medon Berisha, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Ernest Muçi, Jasir Asani

Sulmues: Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku