Aktualitet Politikë

Miratohet “Paqja fiskale”, 75 vota pro në Kuvend!

Mes kritikave e shqetësimeve nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Dhoma Amerikane e Tregtisë, si dhe Bashkimi Evropian, maxhoranca socialiste i dha “ditën jeshile” projektligjit “Për marrëveshjen e paqes fiskale”.

Prej janarit 2015 e deri më 31 dhjetor 2024, borxhi arrin në vlerën e 84,4 miliardë lekëve ose 844 milion euro bashkë më gjobat e kamatëvonesat, pa përfshirë sigurimet shoqërore.

Për këto detyrime të kësaj periudhe, falet 50% e detyrimit nëse pjesa e mbetur paguhet me një këst brenda qershorit të 2026-ës. Kur ky kusht nuk realizohet, falet 25% e borxhit, nëse pjesa e mbetur prej 75% paguhet me këste mujore deri në fund të dhjetorit 2026.

Në të dyja këto raste, gjobat dhe kamatëvonesat do të fshihen.

Kategoria tjetër me borxhe nga 1 janari 2020 e deri në fund të dhjetorit 2024, përfiton falje të gjobave e kamatave nëse i paguajnë të gjitha detyrimet tatimore brenda 2026-ës.

Pas mesnate, Buxheti i vitit 2026, në vlerën 8.8 miliardë euro kaloi me 81 vota pro e 16 kundër, në parlament. Për vitin 2026 parashikohet rritje pensionesh, shtim investimesh publik, ulje e borxhit dhe rritje e pagës minimale.

12 institucione marrin 504.9 milion lekë shtesë, kryesisht ato të drejtësisë. Rreth 886.7 miliardë lekë ose 8.8 miliardë euro do të jenë në dispozicion të institucioneve për t’u shpenzuar për shërbime shëndetësore, paga, për skemat e mbështetjes së familjeve në nevojë, pensione, arsim, punësim, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë e deri tek shpenzimet për sigurinë, në kuadër të detyrimeve ndaj NATO-s.

Seanca maratonë në Kuvend u mbyll në orët e para të mëngjesit. Me 80 vota pro, u vulos ligji për koncesionet dhe partneritetin privat, duke hequr nga lista mundësinë për propozime të pakërkuara, si edhe cakton që asnjë kontratë nuk do të lidhet pa pasur studim fizibiliteti.

Më herët në Kuvend, Endri Shabani u zgjodh Avokat i Popullit, mes kontestimit nga opozita.