Partia Socialiste në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit, rrëzoi amendamentet e PD, që të hiqet nga projektligji emri i Edi Ramës dhe Shqipëria të përfaqësohej nga Presidenti i Republikës ose me autorizimin e tij nga kryeministri i Shqipërisë. Në fund u miratua versioni i qeverisë për Bordin e Paqes.
Është miratuar me 13 vota pro projektligji për Bordin e Paqes për Gazën, në Komisionin e Jashtëm të Kuvendit. Nuk pati asnjë votë kundër dhe asnjë votë abstenim gjatë votimit të këtij projektligji, i miratuar sipas variantit të propozuar nga Këshilli i Ministrave.
Parlamenti është mbledhur në seancë plenare për të ratifikuar aderimin e Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën. Më herët, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla tha:
Shqipëria tashmë nuk ka më një rol vëzhgues në konfliktet ndërkombëtare, por është e gatshme të marrë pjesë në zgjidhjen konkrete të çështjeve të ndjeshme.
Kjo ftesë përbën një vlerësim të drejtpërdrejtë ndërkombëtar për rolin konstruktiv dhe të besueshëm të Shqipërisë dhe shënon një moment të paprecedent pozitiv. Kuvendi shihet si një aktor që kontribuon në zgjidhe të rëndësishme globale për paqen dhe jo si dikur pjesë periferike.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, u shpreh kundër kalimit për votim të marrëveshjes me procedurë të përshpejtuar. Bardhi e cilëson “të pajustifikueshme” urgjencën.
Shqiptarët e dëgjuan hartimin e kolegut parafolës, por nuk dëgjuan asnjë fjalë se ku qëndron nxitimi i Shqipërisë për ta përmbyllur këtë proces sot. Në 10 minuta fjalë nuk u shpjegua se për çfarë arsye dhe ku qëndron urgjenca e shqyrtimit të këtij projektligji me rëndësi historike. Kolegët duhet ta votojnë brenda 12 orëve pasi ka mbërritur nga Këshilli i Ministrave. Patjetër që jemi pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bordin e Paqes për Gazën, por duhet ta bëjmë sipas rregullores së Kuvendit.