Bota

Bisedimet e reja për Ukrainën theksojnë përçarjet Amerikë-Europë!

Një tjetër javë e mbushur me planifikime ushtarake dhe diplomaci, sërish do të nxjerrë në pah përçarjet mes Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve europianë sa i përket politikës ndaj Ukrainës, me dy takime kyçe të njëpasnjëshme në selinë e NATO-s në Bruksel. Amerika do të mungojë në takimin e parë dhe pritet të mos ketë rol të rëndësishëm as në të dytin, pasi vendet europiane synojnë të ecin përpara me planet e tyre.

Takimi i parë, më 10 prill do të mbledhë ministrat e Mbrojtjes nga ai që njihet si “koalicioni i vendeve të gatshme për veprim” e që përfshin edhe vende jashtë Europës, si Kanadaja dhe Australia.

Ky grup prej 30 shtetesh u krijua në fillim të marsit pas një përplasjeje të ashpër mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy në Shtëpinë e Bardhë. Një nga objektivat kryesore të këtij koalicioni është formimi i një force ushtarake që do të dislokohej në Ukrainë pas një armëpushimi ose marrëveshjeje paqeje.

Por, një problem i madh për krijimin e kësaj force është mungesa e mbështetjes nga SHBA-të. Shumë vende, përfshirë Britaninë e Madhe kanë deklaruar se kjo do të ishte e mundur vetëm me një “garanci nga SHBA-të” e që nënkupton mbështetje ajrore, logjistikë e inteligjencë. Deri tani, nuk ka sinjale të qarta nga Amerika se do ta marrë këtë rol.

Ish-komandanti i NATO-s në Europë, Philip Breedlove, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk besonte se ekziston vullneti politik në Uashington për ta bërë këtë, por theksoi se Europa duhet të ecë përpara me planet e saj.

Nëse Putin sheh përtej gardhit një koalicion të madh të të gatshmëve, që përfshin Britaninë, Francën dhe Gjermaninë, ai do të mendohet dy herë.

Nuk është ende e qartë nëse Gjermania do të marrë pjesë në ndonjë prani ushtarake në Ukrainë, pasi vendi ndodhet në një periudhë tranzicioni politik pas zgjedhjeve të shkurtit dhe është në proces formimi të një qeverie të re. Britania dhe Franca po udhëheqin koalicionin, duke premtuar përkrahje ushtarake për misionin dhe do të jenë mikpritëse të takimit të 10 prillit.

Unë mendoj se Europa mund ta bëjë këtë vetë, tha Breedlove. Ushtria ruse është e rraskapitur. Ajo ka nevojë urgjente për një periudhë paqeje që të riorganizohet e të ripajiset. Do të ishte dhurata më e madhe që mund t’ia jepnim Rusisë, po ta lejojmë të rindërtohet.

Deklaratat e tij përputhen me ato të ish-komandantit të ushtrisë amerikane në Europë, Ben Hodges, i cili muajin e kaluar i tha REL-it se forcat europiane kishin “gra dhe burra të pajisur mirë” që mund ta përballonin detyrën pa përfshirjen e SHBA-ve. Megjithatë, përfshirja amerikane, ende mbetet pikë kyçe në axhendë.