Bota

Moldavia mbylli përkohësisht hapësirën ajrore, shkak dronët!

Për mbi një orë gjatë natës, Moldavia, shtet që gjendet në kufi me Ukrainën, mbylli hapësirën ajrore pas inkursionit të dronëve të rinj. Lajmin e dha sot Ministria e Mbrojtjes moldave. Ky vend i vogël pranë Ukrainës së shkatërruar nga lufta dhe Rumanisë, vend anëtar i NATO-s, vazhdimisht përballet me shkelje të hapësirës ajrore që kur Moska nisi pushtimin e shtetit fqinj, në shkurt të vitit 2022.

Incidenti më i fundit vjen në kohën kur më herët këtë javë, Moldavia raportoi se një dron ishte rrëzuar në territorin e saj. Ishte pjesë e gjashtëshes që i kishte kaluar hapësirën ajrore.

Hapësira ajrore e Moldavisë u mbyll përkohësisht për afro një orë e 10 minuta, në orarin 22:43 me 23:53, si masë emergjente, pasi dy dronë të paidentifikuar fluturuan ilegalisht mbi territorin kombëtar, duke krijuar një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e aviacionit, deklaroi Ministria e Mbrojtjes në një komunikatë për media të publikuar sot.

Burime zyrtare shtuan se dronët e tipit “Gerbera” nuk ishin zbuluar nga radarët e Moldavisë, por depërtimi i tyre u “konfirmua nga autoritetet kufitare ukrainase”.

Nuk janë identifikuar objekte, copëza apo elemente që paraqesin rrezik për popullsinë dhe të dy dronët u larguan nga hapësira ajrore kombëtare, duke u futur thellë në territorin ukrainas, theksoi Ministria e Brendshme në një tjetër komunikatë.

Megjithatë, dy avionë që po lëviznin drejt kryeqytetit moldav Kishinau nga Parisi dhe Barcelona, devijuan fluturimet për në Rumani në orarin e mbylljes. Një tjetër aeroplan që përgatitej të nisej nga Kishinau, u ndalua përkohësisht.

Moldavia i dënon fuqishëm këto veprime të paligjshme dhe të rrezikshme e që vunë në rrezik sigurinë e fluturimeve civile dhe jetët e njerëzve, njoftoi Ministria e Mbrojtjes, duke i cilësuar shkeljet si “akte armiqësore të frikësimit dhe destabilizimit”.

Të mërkurën e kësaj jave, Moldavia thirri ambasadorin rus në takim, për shkak të rrëzimit të një droni. Pasi dronin e rrëzuar e vuri para Ministrisë së Jashtme, i dorëzoi diplomatit një notë proteste.