Trajneri i Laçit, Françesko Moriero, ka theksuar se ekipi i tij meritonte plotësisht fitoren ndaj Teutës, për atë që kishte bërë vazhdimisht.
“Mendoj se edhe sot Laçi ka luajtur me 5 sulmues. Jam shumë i kënaqur me djemtë e mi, edhe pse në pjesën e parë nuk më pëlqyen shumë. Në pjesën e dytë ishim më të rrjedhshëm, taktikisht perfekt, edhe me intensitet, jam i lumtur për Luizin i cili bëri gol pas kaq shumë kohësh i dëmtuar. Jam i kënaqur edhe për Melon me dy golat e shënuar, duhet theksuar se tre nga djemtë kishin temperaturë. Por u përgjigjën mirë dhe ky është shpirti i Laçit, e kam thënë gjithmonë, përsëri duhet të përmirësojmë disa gjëra, shohim pak dritë, por nuk duhet të ndalemi këtu. Duhet të vazhdojmë të fitojmë sa më shumë ndeshje që të sigurojmë mbijetesën sa më parë që të jetë e mundur.
Djemtë janë të gjithë mirë, nuk më pëlqen të flas për individë. Në skuadrën tonë ai që luan, luan, nuk ka rëndësi kush është. Luiz shkoi shumë mirë, mungonte një mesfushor, e bëri Lleshi që u vu në dispozicion dhe e bëri shumë mirë. Edhe Kurti ka bërë mirë, por e gjithë skuadra ka bërë mirë, është shpirti i ekipit ai që më intereson.
Ne u munduam t’i zgjatnim se e pamë në javën e kaluar një skuadër shumë të mirë, u munduam të luanim pas shpinës së tyre. Ata na pritnin, në fillim gabuam pak daljet pas shpine, por pastaj gjetëm ekuilibër, i zgjatëm dhe i bëmë të mbrohen. Kishim më shumë liri për të luajtur me mbrapa, gjetëm mirë linjat e pasimit, cilësia e djemve bëri diferencën. Është cilësia e lojtarëve ajo që bën diferencën.
LEXO EDHE: Devolli i mërzitur pas humbjes së Teutës: Nuk duhet të jemi kaq bujarë me kundërshtarët
Unë i shoh situatat ditë pas dite, kush është mirë gjatë javës. Djemtë e dinë, ky është shpirti i grupit që duhet të ketë një skuadër, nuk ka rëndësi kush luan, por shpirti i grupit dhe këtë ekipi i Laçit e ka. Sot mund të luante Lleshi, Luiz, Mjaki na mungon, Kurti po bën shumë mirë. Këto djem punojnë gjatë javës, për mua kush luan nuk ka shumë rëndësi.
Final Four? E kam thënë gjithmonë që do shohim ndeshje pas ndeshje, nuk e shohim klasifikimin. Kur erdha kishim 3 pikë dhe ishim në ferr dhe bëra pakt me djemtë që do të luajmë ndeshje pas ndeshje me intensitet të lartë dhe djemtë po e respektojnë paktin. Pa ata, nuk ka trajner e staf, lojtarët bëjnë gjithmonë diferencën, në të mirë e të keq, ndaj ecim përpara me këtë shpirt e dëshirë për të mos humbur, por për të fituar. Pastaj se çfarë do të ndodhë nuk e di.
Problemi është se kur erdha, situata ishte shumë e vështirë. Kishim shumë ndeshje të ngjeshura, çdo ndeshje ishte e rëndësishme që të merrnim pikë, sepse vetëm me pikët mund të nisësh një rrugëtim. Ndaj ka qenë gjithmonë e vështirë. E përsërit, nuk e shoh klasifikim, asgjë, ndeshje pas ndeshje se ajo e radhës është gjithmonë më e rëndësishme. A e meritojmë një vend në katërshe? Nuk e di, këtë ta thonë të tjerët por unë nuk jam kurrë i kënaqur”, tha Moriero pas ndeshjes.
Laçi fitoi sot 3-0 ndaj Teutës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të të Superiores.