Shumë njerëz e adhurojnë shijen pikante, por ndjesia që mbetet më pas në gojë shpesh duket sikur po “digjemi nga brenda”. Reagimi i parë pothuajse instinktiv është të pimë ujë, por sipas shkencëtarëve amerikanë, kjo është pikërisht gjëja më e gabuar që mund të bëjmë.
Ekspertët nga Shoqata Kimike Amerikane shpjegojnë se uji, në vend që të shuajë “zjarrin”, mund ta përhapë edhe më shumë ndjesinë e djegies.
Fajtori kryesor? Kapsaicina!
Shija pikante e specave djegës vjen nga një substancë e quajtur kapsaicinë, pa ngjyrë dhe pa erë, por shumë “e fuqishme”, e cila gjendet në përqendrime më të larta pranë farave të specit.
Kur kapsaicina prek mukozën e gojës, ajo lidhet me receptorët e dhimbjes në gjuhë, të quajtur TRPV1. Këta receptorë janë “sensorët” që zbulojnë nxehtësinë e lartë (si uji i vluar) dhe substancat acidike që mund të dëmtojnë indet.
Në momentin që kapsaicina aktivizon TRPV1, ata i dërgojnë sinjal trurit se diçka e dëmshme është konsumuar. Trupi reagon duke shkaktuar ndjesinë e fortë të djegies dhe etjen, për të na shtyrë të pimë diçka që, teorikisht, do ta “largojë” substancën.
Sa më shumë kapsaicinë, aq më shumë “zjarr”
Intensiteti i djegies matet me shkallën Scoville, e cila përdoret për të vlerësuar pikantësinë e specave.
Për shembull, “speci fantazmë” nga India verilindore, një nga specat më djegës në botë, është rreth 400 herë më i fortë se salca tabasko dhe ka vlera jashtëzakonisht të larta në këtë shkallë.
Në rastin e tij, kapsaicina lidhet me receptorët TRPV1 në të gjithë gojën, duke krijuar ndjesinë sikur goja është “në flakë”.
Pse uji nuk ndihmon (madje e bën më keq)?
Kapsaicina është një substancë lipofile, që do të thotë se NUK tretet në ujë, por tretet shumë mirë në yndyrna.
Kur pimë ujë, molekulat e kapsaicinës nuk shpërbëhen, përkundrazi, ato shpërndahen në mënyrë më të gjerë nëpër gojë dhe fyt, duke përhapur ndjesinë e djegies në zona më të mëdha.
Ekspertët e ACS e krahasojnë këtë efekt me përpjekjen për të shuar zjarrin e vajit me ujë: në vend që ta fikë, uji e përhap edhe më shumë.
Çfarë duhet të pini ose hani në vend të ujit?
Për të lehtësuar djegien nga ushqimet pikante, specialistët rekomandojnë produkte që përmbajnë yndyrë:
-Qumësht i zakonshëm (jo “light”)
-Kos
-Produkte të tjera bulmeti
Qumështi përmban proteinën kazeinë, e cila lidhet me molekulat e kapsaicinës, i largon ato nga receptorët e dhimbjes dhe i shpërbën, duke ulur ndjesinë e djegies në gojë.
Sa më shumë yndyrë të ketë produkti, aq më efektive është lehtësimi.
Pra, herën tjetër që e teproni me specat djegës, shmangni gotën me ujë, dhe merrni drejt frigoriferit për pak qumësht, kos ose akullore. Trupi juaj do t’ju falënderojë.