Aktualitet

Moti i keq në Vlorë/ Reshjet e dendura rrisin ndjeshëm nivelin e Lumit të Vjosës!

Reshjet e shiut që kanë rënë gjatë orëve të fundit kanë sjellë rritje të ndjeshme të nivelit të lumit Vjosë, i cili ka arritur rreth 5.6 metra në pikën e Urës së Mifolit.

Burime nga zona e Përmetit bëjnë me dije se reshjet e dendura kanë vijuar për disa orë me radhë dhe po bien jo vetëm në këtë zonë, por në të gjithë jugun e vendit. Si pasojë, disa lumenj të vegjël dhe përrenj që derdhen në Vjosë kanë rritur prurjet, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të saj.

Sipas informacioneve shirat pritet të vijojnë me intensitet të lartë edhe në orët në vijim, çka mund të sjellë një rritje të mëtejshme të nivelit të Vjosës, veçanërisht gjatë orëve të para të ditës së nesërme.

LEXO EDHE: Përmbytjet në Vlorë, Leskaj: Doni ta bëni si Venecia? Asnjë qytetar nuk është dëmshpërblyer!

Ndërkohë, autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zonave që rrezikohen nga dalja e lumit nga shtrati të tregojnë kujdes të shtuar dhe të marrin masa paraprake, pasi situata pritet të përkeqësohet.

Për shkak të situatës së krijuar dhe përkeqësimit të kushteve atmosferike, vijon pezullimi i lundrimit detar për të gjitha anijet e vogla dhe peshkarexhat, si dhe moslejimi i lundrimit drejt Italisë, për shkak të erërave të forta dhe detit me dallgë deri në 7 ballë në det të hapur.

Ndërkohë, Kapiteneria e Portit të Vlorës ka njoftuar mjetet e vogla lundruese, përfshirë tonazhin e lehtë si dhe mjetet e peshkimit, që të qëndrojnë të ankoruara dhe te presin një njoftim të dytë, pasi, sipas parashikimeve, moti është përkeqësuar dhe ekziston rreziku i mbytjes se tyre.