Aktualitet

Moti i keq, trageti i linjës Vlorë-Brindisi në radë/Apeli i Policisë për lëvizjen!

Policia e Shtetit ka rritur praninë e shërbimeve në rrugë pas reshjeve të dendura të shiut dhe stuhive. Autoritetet kërkojnë nga qytetarët të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit. Shmangni lëvizjet në akset me rrezik, të respektojnë sinjalistikën dhe të mos tejkalojnë shpejtësinë.

Patrullat policore janë të shpërndara në të gjithë vendin, të angazhuara për të ndihmuar përdoruesit e rrugës dhe për të parandaluar aksidentet. Strukturat e Policisë së Shtetit po bashkëpunojnë me Emergjencat Civile, Ministrinë e Mbrojtjes dhe institucionet e tjera për të ndërhyrë në zonat ku rreziku është më i lartë.

Ndërkohë, firmat kontraktore të mirëmbajtjes së rrugëve po punojnë për pastrimin e inerteve dhe për zhbllokimin e segmenteve të bllokuara nga shkarjet e dherave dhe gurëve.

Autoritetet apelojnë për të shmangur lëvizjet në akset me rrezik, të respektojnë sinjalistikën dhe të mos tejkalojnë shpejtësinë.

Trageti i linjës Vlorë-Brindisi doli në radë. Mjeti lundrues është në det të hapur për të shmangur përplasjet që mund të shkaktohen me kalatën e portit detar nga era e fortë bregdetare. Ndërkohë, në Portin e Vlorës, lundrimi vijon i pezulluar për të gjitha mjetet e vogla dhe të peshkimit deri nesër.

Nga pasditja e deri në orët e para të mëngjesit të nesërm, reshje të shumta priten edhe në Lezhë, Durrës e Tiranë, të shoqëruara me shkarkesa elektrike.

Parashikohet mjegull dhe shikueshmëri e reduktuar në zona luginore, u theksua në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes lidhur me gjendjen e shkaktuar nga moti i keq në vendin tonë.

Sot vendi ynë ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti vijon i vranët ndërsa reshjet e shiut, prezente që prej orëve të para të ditës, në pjesën më të madhe të territorit, me intensitet të ulët deri mesatar. Lokalisht në veriperëndim e në jugperëndim, hera-herës, shirat janë me intensitet deri të lartë dhe në formën e shtrëngatave e të stuhive.

Reshjet e shiut do të vijojnë gjatë gjithë ditës në vendin tonë. Në majat e maleve në verilindje e në zonën e Alpeve ka reshje bore me intensitet të ulët. Temperaturat variojnë në vlerat nga 7 në 20 gradë Celsius.