Aksident me dy të plagosur në autostradën Levan-Vlorë, pranë “Urës së Mifolit”. Një motor që tentoi të parakalojë, u përplas me një automjet të tonazhit të rëndë, trailer. Drejtuesi dhe pasagjeri i motorit mbetën të lënduar dhe u dërguan në spital. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për të zbardhur dinamikën e aksidentit që pason atë të një dite më parë me dy viktima dhe dy të plagosur në aksin Borsh-Himarë.
Sipas informacioneve paraprake, një fugon që transportonte peshk dhe ku udhëtonin dy bashkëshortët Kastriot e Donika Mehmeti, të moshave 62 e 54 vjeçe, u godit nga një automjet tip “ Benz Mercedes”.
Nga përplasja e fortë, mjeti u spostua për nga trotuari, duke rrezikuar edhe kalimtarët. Bashkëshortët udhëtonin me rrip sigurimi, por për fat të keq nuk mundën që të mbijetojnë për shkak të goditjes së fortë. Viktimat u dërguan në morgun e spitalit të Sarandës.
Referuar edhe dëshmitarëve në vendngjarje, dyshohet se shkak i aksidentit ishte shpejtësia e lartë me të cilën lëvizte Benz-i që goditi drejtpërdrejt furgonin.
Të plagosurit u transportuan me urgjencë drejt spitalit të Sarandës. Drejtuesi i mjetit Mercedes, i identifikuar si shtetasi Myfit Qejvanaj, po ashtu pësoi dëmtime, me frakturë në kokë dhe hemoragji ndaj u dërgua në spital.
Edhe pasagjeri Petrit Kapllanaj ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë e stabilizuar, ndërsa policia vijon hetimet me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit fatal, më i fundit që përgjak rrugët tona.
Aksidenti i rëndë i një dite më parë u regjistrua në rrugën që të çon në plazhin e Borshit, rreth orës 14:20, përgjatë aksit që lidh fshatin me bregdetin, një segment i frekuentuar si nga banorët, ashtu edhe nga turistët.