Food & Drink Health & Beauty

Mund të keni pasoja serioze nëse nuk bëni kujdes me kafen, paralajmërojnë ekspertët!

Ekspertët paralajmërojnë se mënyra se si konsumohet kafeja mund të kthehet në armik të shëndetit, duke ndikuar në gjumë, tretje, përthithjen e vitaminave dhe madje edhe në sistemin kardiovaskular. Dietologia Katie Sanders nga Doctify ka shpjeguar për “Telegraph” se kafeja ka efekte të forta mbi zorrët dhe shëndetin e përgjithshëm, ndërsa studimet tregojnë se gabimet në konsumim mund të shkaktojnë pasoja serioze afatgjata.

Kafeina stimulon sistemin nervor, duke rritur kortizolin dhe adrenalinën, çka imiton një gjendje stresi. Ekspertët sugjerojnë të shmanget pirja mes orës 07:00 dhe 08:00 të mëngjesit, kur kortizoli është në kulmin natyral. Më shumë se një filxhan në ditë ose konsumimi deri në katër orë para gjumit mund të dëmtojë gjumin e thellë. Sasia mbi 400 mg kafeinë në 12 orë lidhet me pagjumësi serioze. Llojet e kafesë pa filtruese, si ekspresi, rrisin kolesterolin “e keq” LDL, veçanërisht te personat me rrezik për sëmundje kardiake.

Një filxhan pas vakteve të pasura me hekur ul përthithjen e tij deri në 40%. Specialistët këshillojnë të konsumohet një orë para ose pas ushqimeve të tilla. Kafeina stimulon hormonet e tretjes dhe nxit lëvizjet e zorrëve. Pirja në stomak bosh ose me aciditet të lartë mund të përkeqësojë gjendjen, ndaj rekomandohet përdorimi në sasi të vogla. Kafeja mund të reduktojë efektin e disa barnave si antikoagulantët apo levotiroksina për tiroiden. Duhet respektuar një interval prej të paktën një ore. Filxhanët plastikë lëshojnë grimca të dëmshme që grumbullohen në trup. Studiuesit sugjerojnë përdorimin e enëve të ripërdorshme. Kafeja mbetet një pije me vlera, por vetëm kur konsumohet me kujdes dhe në mënyrën e duhur, për të shmangur pasoja të rënda në shëndet.