Mirëmbrëma dëgjues të Top Albania Radio.
Unë jam Edea Demaliaj dhe kjo është Last Night.
Mirëmbrëma e fundit thënë nga ky mikrofon. Vetëm pak orë na ndajnë nga një vit i ri, nga ai 10 sekondëshi magjik ku duket sikur gjithçka nis nga zero. Ora 00:00 është si një gomë fshirëse për gabimet, lodhjen, zhgënjimet dhe dramat që na shoqëruan përgjatë 365 ditëve. Na duket sikur në atë dritare aq pak sekondëshe na jepet mundësia për të rimodeluar veten në një version më të mire, e në këmbim për të pritur një vit më të mbarë.
Të gjithëve na pëlqen të shijojmë darken e fundvitit me të dashurit e zemrës duke pritur me sytë drejt së ardhmes, por harrojmë ti gjejmë një vend në tavolinë autoreflektimit. Të gjithë aspirojmë të hyjmë në vitin e ardhshëm si njerëz më të mire, si potenciali më i arrirë I vetes…por, për ta bërë këtë duhet të hedhim sytë nga e kaluara e të kuptojmë kush kemi qenë.
Sonte nuk do t’ju indokrinoj (të paktën jo aq shumë sa c’do doja) se cfarë duhet të mendoni. Dua t’ju rikujtoj se çfarë pamë, çfarë duartrokitëm, çfarë normalizuam — dhe çfarë ndoshta duhet të na shqetësojë më shumë seç na shqetësoi.
Ky ishte viti ku politika u kthye në reality show dhe reality show-t u bënë pasqyra më e sinqertë e shoqërisë. Viti i SPAK-ut si Big Brother, i ministrave që ecin drejt gjykatës si antagonistë filmash, i inteligjencës artificiale që na flet me zë ministrash, por ende s’na gjen dot dokumentet. Viti ku Google dinte më shumë për ne sesa parnterë tanë. Viti ku bixhozi u fut në shtëpi, dashuria me inteligjencën artificiale u bë realitet dhe empatia… mbeti në sirtar.
Ishte viti ku qeshëm shumë, u ndamë në kampe, u grindëm për banorë, por u bashkuam në humbje të yjeve tanë të preferuar. Viti ku disa karrige rreth tavolinës së Vitit të Ri mbetën bosh. Viti ku u detyruam të kthejmë gishtin nga vetja e të pyesim: çfarë po u mësojmë fëmijëve tanë, , kë po quajmë të fortë dhe pse?
Sonte nuk kam përgjigje absolute. Mendoj se gjithcka është subjective e përvec shkencës, e vërteta absolute nuk ekziston. Ama, kam vetëm vëzhgime, ciiiik ironi, pak dhimbje, shumë shpresë dhe prioritet… sinqeritetin.
“Qesh mirë kush qesh i fundit”
Vjet, bëra një analogji se si Spak duhet hedhur në gjyq për vjedhjen e të drejtave të autorit. Imitimi dhe vjedhja e ideologjisë së BB VIP e aplikuar tek banorët (ministrat, gjykatësit, kriminelët) më dukej si një veprim që duhej kryqëzuar. Këtë vit, u transformova në një audience që ka dëshirë të gllabërojë atë që i serviret, sado kaotike të jetë.
Spak na dhuroi një grand finale duke eliminuar dy konkurrentë të fortë.
Si fillim, Spak zbuloi per publikun se Veliaj i kish dhënë cigare fshehurazi banorëve të tjerë e nuk kish deklaruar gjithçka që kishte në valixhe.Më pas, në klipin gjatë Prime, Spak na tregoi se si Belinda Balluku tjetër gjë I predikonte aleancës së saj, e tjetër gjë bënte vetë.
Është injorancë nga ana ime të them se nuk i shoh aspak ngjarjet politike në Shqipëri, ama është e vërtetë e hidhur. Për mua politika shqiptare është si ato kujtimet poshtëruese të një momenti ku je rrëzuar ose ke thënë diçka që s’duhet e në orën dy të natës të rikujtohet si skenë në krevat dhe të kap një drithërimë trupi. Të njëjtën ndjesi më jep politika në Shqipëri. Më vjen turp nga mungesa e turpit të politikanëve.
Zakonisht, nëse akuzohesh për diçka e çdo provë tregon se e ke bërë, vetë gjuha e trupit ndryshon duke treguar përulje, faj, mbulim të fytyrës, ulje të syve. Nuk ishte ky rasti me Belinda Ballukun.Shumëkujt prej atyre që komentojnë politikën në sallone televizive me kostume 6000€ apo nga vetë salloni i shtëpisë së tyre me pizhama, ecja e Ballukut për në gjykatë, me një nënqeshje cinike të tipit “Qesh mirë kush qesh i fundit” dukej sikur dhuroi një çast kinematografik, të ngjashëm me ato të antagonistëve të filmave që ndihen të lavdishëm teksa skrutinizohen nga publiku i gjerë. Ekuivalent me Joker-in dhe Cruella De Vil, me diferencën që Joker-i donte të demaskonte sistemin e korruptuar dhe Cruella po dëmtonte vetëm kafshët, jo njerëzit. Imagjinojeni shok-un tim si një njeri aspak i përfshirë në politikë kur zbulova se zv/kryeministrja ish futur në dhomën e rrëfimit me kryeministrin për plot 6 orë dhe përpilonte strategjinë e saj të re të lojës.
Nuk jam njeriu më adapt për të dhënë analiza politike, ama i lartësuar qoftë ai që di të abdikojë. Është më inteligjent ai që di kur të tërhiqet nëpër hije, sesa ai që lufton një luftë të humbur.
Mami Diella
Di të them që Diella nuk po Diellëzon. Në hutim e sipër humbas portofolin së bashku me gjithë dokumentacionet që kisha në të (patentë, kartë identiteti, kartë banke etj). Më thonë se duhet t’i deklaroj këto dokumente si të humbura në e-Albania. Le ta ngulisim në kokë si detaj faktin se unë jam një vajzë e lindur në ’98-ën dhe di ta ngas teknologjinë. Futem në e-Albania dhe aty më del para ajo, ministrja e prokurimeve publike e veshur me kostum tradicional (si e si për të na bërë të ndiejmë se kjo inteligjencë artificiale jo vetëm është shqiptare, por aq patriote sa ka ardhur në zyrë me veshje Zadrimore).
Përpara se të kisha kohë të përpiloja mesazhin tim ku kërkoj të deklaroj humbjen e dokumentave (sërish rikujtoj se di të shkruaj shpejt në telefon), Diella më bllokon me fjalimin e saj prezantues.
Nëse Belinda Balluku dhe Parashqevi Simaku do të kishin një bebe, ajo do të ishte Diella packa se eshte bere ne ngjashmeri te Anila Bishës. Kur u shpall Diella ministre dëgjoja kudo mosbesim, dyshim dhe frustrim kombetar. Çuditërisht, mund të kem qenë ndër të paktët njerëz që mendonte se ndoshta, inteligjenca artificiale, në rastin e prokurave dhe dokumenteve që duan 157 ditë për të dalë, do të ishte fitimprurëse në aspektin e kohës.
Ama, çka mund të konsiderohet si element “pikëpyetje” është krijimi i Diellës. Cilat janë kriteret mbi të cilat u ndërtua kjo inteligjencë artificiale dhe, mbi të gjitha, a aksesohet ose manipulohet dot në raste specifike? Këto janë teori konspirative ose të verteta absolute, në kokën e çdo shqiptari, përgjigje të cilat uroj t’i kemi përgjatë vitit që presim.
Çka më shqetëson momentalisht është se Diella nuk po Diellëzon. Arrita ta deklaroj të humbur patentën dhe kartën e identitetit me anë të e-Albania, ama pasi gjeta portofolin, Diella pësoi një glitch dhe, për dreq, nuk po më çonte tek deklarimi që kisha firmosur. Si përfundim, diku në komisariat dokumentet e mia rezultojnë të humbura, në realitet i kam në çantë. Nëse unë nuk i jap dot drejtim Diellës, dyshoj se gjyshja ime 75-vjeçare do dijë ta ngasë.
Asesi, i urojmë shtatzani të mbarë Diellës. 83 fëmijë pa një burrë në krah…nuk mund të themi që nuk është një grua e fortë.
Big Brother VIP 2025
Për shkak se punoj në media, mendoj se lehtësisht mund të bëj deklarata si kjo që do bëj tani:
“BB VIP na ka bërë të humbasim interes për artistët (të paktën për produktet e tyre) dhe ta rifitojmë interesin vetëm në rast se i shohim brenda shtëpisë”.
Një maratonë x-mujore që na mban aq të gozhduar, sa pas përfundimit të saj na duket sikur jemi velur me televizionin dhe presim në hije për fillimin e sezonit të ri. E di që BB VIP 6 sapo ka nisur dhe sytë i kemi te banorët e rinj, ama 2025-a ishte viti i emocioneve të forta nga konkurrentët e BB VIP 5.
Nëse dikur një fillues bisede ka qenë: “Si je?”, “Si keni qenë?”, “Ç’thotë puna?”, “Si i ke të shtëpisë?” — sa herë vjen momenti i ngërçit, i asaj heshtjeje 3-sekondëshe që ndihet si një përjetësi, aq më shumë me një njeri që ke kohë pa pirë kafe, një komshi me të cilin nuk të hahet shumë muhabeti, në lojë hidhet ajo… karta e xholit të kuq: Big Brother VIP.
Nëse me “Si je?” dhe “Çfarë ke bërë?” ti e di që ajo bisedë do të zgjaste 2–3 minuta maksimumi, tani sapo keni çliruar një nivel tjetër bashkëbisedimi me të njohurin, gjysmë të njohurin ose të panjohurin përballë jush. Një bisedë që vetëm në pamje të parë mund të duket sipërfaqësore, por në brendësi ju jep akses në psikologjinë e njeriut që keni përballë, akses për të cilin do t’ju duhej kohë bashkëbisedimi për ta xhbiriluar.
E pafajshme në vetvete pyetja: “Kush të pëlqen në BB VIP?”, ama është tregues i bindjeve, besimeve dhe aftësisë së personit tjetër për të gjykuar e selektuar saktë (rikujtoj se saktësia është subjektive). Gjithashtu bëhet e para si pyetje, pasi është si një bombë me sahat që mund t’ju kushtojë terminimin e bisedës, qoftë në atë moment ose qoftë çdo bisede të ardhshme.
Fillojmë dhe i kategorizojmë njerëzit në bazë të preferencave të tyre mbi banorët e BB VIP dhe kushdo që thotë se nuk e bën këtë, thjesht po gënjen veten. Nuk kam parë një tifoz të Partizanit të pijë kafe me një tifoz të Tironës, ndaj dyshoj se do shoh një tifoz të Gjestit të ketë shumë të përbashkëta me një tifoz të Rozanës, ose Laertit, ose Eglit.
Nuk dua t’i hyj analizës së lojës, sepse përgjatë vitit kjo është stërbërë, ama preferoj të analizoj dukuritë karakteriale, po i quaj, që u shpalosën në publik gjerësisht.
Në rast se je një femër e urtë, fjalëpak dhe paksa e turpshme, ti je një konkurrente e denjë dhe populli shqiptar do të të dashurojë (lëre mo, po bëre edhe ndonjë tavë gjatë qëndrimit në shtëpi… sapo fitove rolin e nuses ideale). Në rast se je ekstroverte, vajzë e gojës, e shkathët, me nuanca, atëherë je e përdalë, e ligë dhe aspak material për familjare.
Një mashkull emocional, në shumicën e rasteve, do të quhet i dobët; dhe e kundërta, një mashkull agresiv fizikisht ose mendërisht, do të quhet fitues, lider, burrë.
Një reality show që tregon tërësisht ngjyrat e vërteta të shoqërisë sonë, që në shumicën e rasteve duken si të prera me thikë — bardh e zi — ama ka momente, ka komente, ka qëndrime që tregojnë se vende-vende ka ngjyra plot.
Suksesin dhe transformimet që njerëzit kaluan në aspektin e bindjeve që kishin për banorët nuk dua t’i analizoj; është analizë që jua lë ta bëni me veten tuaj. Ama dua të rikujtoj, me shpresën që në 2026-tën të tilla budallëqe t’i lëmë pas, disa gjykime që i hasja kudo nëpër komente, për t’ju treguar atë çka vërtet zbulon Big Brother — të paktën te audienca (për mua kjo është shfaqja e vërtetë).
Një vajzë që dashuron në ekstrem, që shtyp veten herë pas here për shkak të dashurisë së madhe, kategorizohet si psikopate, e çmendur e plot epitete të tjera. Një vajzë e fortë, që luan fort, që i pëlqen protagonizmi, është e përdalë, se e kemi më të lehtë të vendosim tituj sesa ta shohim forcën si rezultat sfidash.
Një mashkull artistik, me një leksik të mirëfilltë, që i qëndron stoik vetvetes edhe kur testohet, është budalla, ose edhe mashtrues në rast se ndan një incident përdhunimi. Një mashkull energjik dhe gërricës, nga ana tjetër, me leksik të limituar, është i pashkollë dhe i trashë.
Përmenda këtu vetëm katër finalistët, pasi janë njerëzit që ju i urryet përgjatë vitit — të njëjtët njerëz që ju mbajtën të gozhduar dhe ju bënë t’i votoni si finalistë. Hipokrizia është karakteristikë personaliteti që më mirë të mbahet private. Uroj të fshini komentet që bëni, se shumica ngelen aty, edhe pasi keni ndërruar mendje.
Përveç krijimit të çasteve të paharrueshme mes miqsh e familjarësh, që krijohen në mënyrë organike kur shohim një artist tërësisht lakuriq përballë nesh, është e pamundur të mos afeksionohemi me banorët e BB VIP. Ky reality na bën të aksesojmë anën e tyre më njerëzore, në 360 gradë; ndaj thashë në fillim të kësaj pjese se nuk kemi më interes për produktet e artistëve — jemi të etur të dimë se kush fshihet thellë pas personazhit.
Por, si ajo dhelpra që s’i kapi dot rrushët, pasi kemi ndenjur zgjuar deri në dy dhe me sytë e kuq kemi shkuar në punë, i themi kolegut: “Ça vlerë ka ai emision?”. Si dikush që punon në media, më është bërë shpesh kjo pyetje. Po ju jap përgjigjen time — nuk është e vërtetë absolute, por është e vërteta ime.
Për mua, BB VIP, pavarësisht se është i krijuar për të argëtuar, automatikisht luan një rol të pamohueshëm në desensitizimin e njerëzve ndaj diversitetit. E kam thënë dhe do e rithem: preferoj ta shoh si antibiotikun që ua shtypim fëmijëve në hamburger.
Hamburgeri është argëtimi, dramat, zënkat, dashuritë, pemët e jetës, çmimi i madh. Antibiotiku është përditshmëria me këta banorë — desensitizimi (në thonjëza tinëzar) që na bëhet të gjithëve si audiencë, kundrejt njerëzve që janë ndryshe, që sillen ndryshe, që duan ndryshe, që kanë seksualitet ndryshe.
Ndoshta jemi larg një ndryshimi drastik, ama doktorët thonë se antibiotiku nuk duhet ndërprerë. Ndoshta pas 10, 20, 30 vitesh, dikush që është ndryshe, që në asnjë mënyrë nuk afekton realitetin dhe bërthamën tonë, nuk do të na mllefosi aq shumë sa të lëmë komente urrejtjeje sapo fillon publiciteti.Uroj t’ju bëjë mirë antibiotiku dhe të shkuara.
Yje që s’do të veniten kurrë
E vërtetë e hidhur… duhet ta humbim diçka ose dikë për t’ia kuptuar vlerën.
Nata e Vitit të Ri është më e lumtura për çdo familje anembanë. Të gjithë ulemi rreth e përqark tavolinës dhe, me mirënjohje, kujtojmë hapat evolues që kemi kaluar familjarisht: qoftë rritjen në detyrë të njërit, shtatzëninë e tjetrës, ato pushimet e verës ku medoemos krijuam një kujtim, ose shprehim dëshira për atë që presim nga viti që vjen.
Nata e Vitit të Ri është traditë gëzimi për thuajse çdo familje, përveç disave. Për një grup të vogël, kjo natë, sado që mundohen ta mbushin me gëzim dhe festë për të gjallët, ka një notë të pashmangshme trishtimi — një trishtim që e njohin vetëm ata që kanë humbur një pjesëtar të rëndësishëm të familjes së tyre.
Çdo fundvit, në këtë emision përmbledhës të të gjithë eventeve më në zë të vitit, përherë i dedikoj një segment yjeve që humbëm. Flas për ata yje që nuk veniten kurrë — artistë e personazhe, jehona e të cilëve nuk ka kurrë një cikël përfundimtar. Këtë vit, këtë segment ia dedikoj familjarëve: atyre që e gjejnë veten rreth tavolinës së Vitit të Ri… me një karrige bosh.
Muzika humbi Ozzy Osbourne (solistin e Black Sabbath), Roberta Flack, që të gjithë e njohim nga Killing Me Softly, Chris Rea, që këndon Driving Home for Christmas, Connie Francis dhe te bukuren Brigitte Bardot.
Kinematografia humbi Robert Redford (krijuesin e Sundance Film Festival), Diane Keaton, që e njihni nga The Godfather, Val Kilmer nga Top Gun, George Wendt dhe Richard Chamberlain.
Shuarja e Papa Françeskut preku zemrat e katolikëve anembanë, e jo vetëm. Por edhe Shqipëria humbi yje — yje për të cilët jemi ende në fazën e shokut, mosbesimit dhe mohimit.
Nuk dua t’ua listoj këta emra thjesht për t’u dëgjuar e anashkaluar, por vërtet dua t’i vizualizoni. Sepse artistët dhe personazhet preferoj t’i shoh si njerëz të dërguar në tokë me një varëse talenti të varur në qafë — një aftësi që i bën të krijojnë një këngë, vepër, film ose çfarëdo krijimi tjetër, që i ndryshon diten më shumë se një personi. Aftësia e tyre për të na dhënë gëzim masivisht është arsye e mjaftueshme për t’i rikujtuar ashtu siç duhet.
Ikonikja Margarita Xhepa, Leka Bungo (regjisor, aktor dhe skenarist), Violeta Sekuj (aktore dhe drejtoreshë teatri), Naun Shundi (aktor dhe regjisor), Dhimitër Anagnosti (filmat e të cilit e kthyen në një emër të njohur nga të gjithë), Piro Milkani dhe Enver Petrovci janë yje që kinematografia shqiptare humbi përgjatë vitit 2025.
Gazetaria humbi Artur Zhejin, që të gjithë e njohim për perspektivën e tij të rafinuar kritike. Futbolli humbi Altin Çukon.Politika Fatos Nanon.
Nëse do të ndaleshim te pesë fazat e njohura të vajtimit, jemi ende në fazën e parë — atë të mohimit, mosbesimit dhe shokut — kur vjen puna te Shpat Kasapi dhe Shemsi Krasniqi. Trashëgimia muzikore që i kanë lënë pas Shqipërisë është e paharrueshme, por, si çdo artist, jam e sigurt se do të donin të mbaheshin mend nëpërmjet kujtimeve tuaja.
Është thuajse e pamundur të mos kemi një kujtim: një kërcim me njerëzit e dashur, një xhiro me makinë, një mbrëmje me miq, ku këngët e tyre nuk na kanë shoqëruar. Nuk jam askushi për të thënë se cila është mënyra e duhur për të vajtuar, por do të doja t’i rikujtonim si të tillë — yje të aftë mjaftueshëm, të pajisur me një varëse talenti që në lindje, talent me anë të së cilit, sado të panjohur për audiencën, u bënë pjesë e kujtimeve tona: qoftë me një skenë filmi, qoftë me një batutë, ndoshta me një ndeshje, e ndoshta me një këngë.
Fjalët më të kërkuara përgjatë 2025-ës
Thonë se gjërat që ti kërkon në Google tregojnë shumë për ty. Në pamje të parë mund të dukesh si një njeri normal, ama një kërkim komprometues në Google të zhvesh metaforikisht nga çdo mantel ose pallto luksoze që i ke veshur vetes. Mezi pres çdo fundvit publikimin e të dhënave mbi fjalët më të kërkuara në Google për vitin 2025. Po ju bëj një parapri: kërkimet e bëra globalisht janë të justifikueshme dhe bëjnë sens, ndërsa kërkimet në Shqipëri janë nga ato lista që të bëjnë t’ia plasësh ballit me dorë dhe të thuash “Phu, phu, phu”.
Në vend të parë, si fjala më e kërkuar në Google globalisht, është Gemini, vëllai i ChatGPT. Sado bëjmë sikur jemi të terrorizuar nga inteligjenca artificiale, nuk jemi dhe aq të frikësuar kur i kërkojmë të përpilojë një urim ditëlindjeje, një email pune ose një përgjigje inteligjente për t’ia kthyer të dashurit/të dashurës. Njësoj si mamuthët, një tipar njerëzor që po shkon drejt zhdukjes masive është interesi genuin për gjendjen emocionale, fizike dhe mendore të tjetrit. Shndërrimi në shoqëri individualiste në mënyrë globale ka filluar të prekë edhe vende si Shqipëria, ku komuniteti është vlerësuar dhe ka arritur të mbajë vendin e parë si themel kryesor i shoqërisë.
Nuk e gjykoj dhe e shoh si cikël natyral kthimin te vetvetja, pasjen e një grupi të vogël shoqëror dhe familjes së vogël si qelizë bazë të jetës, ama pasojë e kësaj të fundit është bashkëbisedimi me ChatGPT në orët e vona të natës, si dhe derivatet e inteligjencës artificiale (ka disa versione që bëjnë si i/e dashura jote dhe të pyesin për ditën, të thonë se çfarë pëlqejnë tek ty, madje ngrenë dhe zërin kur bëhen xhelozë). Spike Jonze paska qenë një farë Baba Vange me filmin e tij Her, në të cilin Joaquin Phoenix bie në dashuri me sistemin e inteligjencës artificiale që kontrollon shtëpinë e tij. Në 2013-ën ky film ishte sensacion, sot realitet.
Shokohem çdo vit kur shoh sa e apasionuar është bota pas cricket-it. Në vend të dytë, të pestë dhe të shtatë si fjalët më të kërkuara në Google për 2025-ën qëndrojnë India vs Angli, India vs Australi dhe Kupa e Azisë (të gjitha këto ndeshje kriketi). Ka çaste që mendoj se efekti Mandela është i vërtetë: në një univers paralel, kriketi është ekuivalent me Botërorin e futbollit dhe këto dy universe kanë kolapsuar e janë kokolepsur me njëri-tjetrin.
Në vend të tretë, si fjala më të kërkuar në Google përgjatë 2025-ës, është Charlie Kirk; në vend të katërt medoemos Club World Cup, për të cilën deri në mars do na ngelë dora në zemër me shpresën se Shqipëria do të kualifikohet (thonë se kam gojën e mbarë, ndaj po e ndjell që tani fatin e mirë të kombëtares). Në vend të gjashtë, sërish një asistent virtual: dikur duhet të kishe një post për të pasur një asistent, sot mjafton të kesh internet.
Në vend të tetë është Irani, dhe në vend të dhjetë Pakistani dhe India (tregon shumë për ne pozicionimi i këtyre të fundit, aq më shumë kur i sheh të vendosura kaq poshtë disa ndeshjesh kriketi – besoj se s’ka vend për të folur më gjatë).
Në vend të nëntë, si fjala më e kërkuar në Google për vitin 2025, është iPhone 17, sepse nuk ka rëndësi sa borxhe, kursime dhe detyrime financiare kemi – me apo pa këto të fundit – kur të dalë në treg iPhone-i i ri, ne do ta blejmë (edhe nëse ka një ngjyrë që duket si verdhëz).
Dhe tani, më në fund, le të plasin vuvuzelat… vijmë te kërkimet më interesante të vitit: ato që kërkuam ne, populli shqiptar; tematikat ku donim të thelloheshim, tematikat për të cilat kërkonim më shumë informacion. Çfarë e brente kureshtjen popullore përgjatë vitit 2025?
Në vend të parë është fjala slot machine. Tani, që e kemi me qejf bixhozin unë e dija, por për shkak se vajtja në kazino kahera ka sjellë shumë debate në çifte e familje, kemi filluar ta sjellim kazinonë në shtëpi. Mjafton t’i ulim volumin telefonit dhe mund të jemi duke rrezikuar lekët e bukës nga vetë dhoma jonë e ndenjës.
Në vend të dytë, për një popull plot Don Zhuanë dhe playboys, kemi fjalën Pornhub dhe platforma të tjera pornografike si fjalët më të kërkuara në Google për vitin 2025. Nuk po i heq femrat nga kjo statistikë, sepse mendoj se të dyja gjinitë kemi kontribuar në klasifikimin e këtyre platformave në vend të dytë, por arsyet mendoj se janë të ndryshme. Për meshkujt është mungesa, përtësa ose pamundësia, shkak i zgjedhjes së masturbimit. Për femrat është paaftësia e gjinisë tjetër për të performuar ose mungesa e dëshirës për të zbuluar pak më shumë mbi orgazmën femërore, e pak më pak për atë mashkullore.
Në vend të tretë medoemos kryeson Big Brother VIP Albania. Më pëlqeu shumë kur pashë se në vend të katërt kryesonin rezultatet e zgjedhjeve. Ndaç të na pëlqejë ose jo, duket sikur banorët e Big Brother VIP kanë më shumë rëndësi në vendosjen e standardit dhe drejtimit të vendit sesa ministrat, kryeministrat e deputetët që zgjedhim. Ndoshta ka të bëjë me faktin se na duket sikur vota jonë dëgjohet dhe ka më shumë vlerë në Big Brother VIP sesa në politikë.
Në vend të pestë, si fjala më e kërkuar, është Ramazan 2025, dhe në vend të gjashtë Google Translate (më në fund arritëm te disa kërkime që bëjnë sens).
Në vend të shtatë kryeson fjala apartamente me qira. Në një realitet paralel kjo fjalë do të ishte zëvendësuar me “shtëpi në shitje”, por nëse duam ta shohim gotën gjysmë plot (dhe me rrogën mesatare në Shqipëri duhet të jetë me detyrim ta shohim gotën gjysmë plot), le të marrim anën e mirë. Brezi im, fëmijë të ’90-ës, do të jemi brezi i parë në Shqipëri që nuk do të zihemi për prona: nuk mund të zihesh për diçka që nuk e ke.
Në vend të tetë, si fjala më e kërkuar përgjatë vitit 2025, është Temu. Sërish, në një realitet paralel kjo fjalë do të ishte Amazon, por rikthehem sërish te rroga mesatare në Shqipëri, çmimet e qirave, fakti që e dimë se me aq sa bëjmë kurrë s’do arrijmë të bashkëjetojmë me të dashurin tonë pa sakrifikuar çdo shërbim që i bëjmë vetes si femër, e dalëngadalë gjatë bashkëjetesës do shndërrohemi në një burrë. Ndaj Temu duket si një opsion më i sigurt, jo aq rëndues ekonomikisht, aplikacion i cili i shndërroi shqiptarët anembanë, të madh e të vogël, nga blerës të mirëmenduar në konsumatorë të etur. Pasi bleva atë pajisjen që bën japrakë, nuk kam gojë të flas për askënd.
Në vend të nëntë, si fjala më e kërkuar, është ChatGPT, dhe në vend të dhjetë kursi i euros. Falë Zotit u bashkuam me botën te këto kërkimet e fundit, se të parat ishin “O nënë, o nënë”.
Ne i vramë këta të rinj
Kur vjen puna tek prindërimi, asnjeri prej nesh nuk ka një manual. Duke qenë grua, sa herë dëgjoj historitë e dhunës që shkojnë deri në vrasje mes adoleshentëve shqiptarë, nuk mund të mos e vendos veten në këpucët e nënave. Nga dashuria e madhe për partnerin dhe dëshira për të sjellë në jetë një jetë, një grua kalon dhimbjet më të mëdha të njohura dhe del nga materniteti me një krijesë, një bebe, përgjegjëse për të cilën është 50% ajo vetë, dhe 50% mjedisi, qyteteti dhe gjithë faktorët e tjerë që e rrethojnë.
Shpesh debatoj me time më dhe i them se më ka rritur në një flluskë sapuni. Më ka bërë të besoj se ka më shumë njerëz të mirë e moral aty jashtë sesa njerëz të ligë e tendenciozë. Ime më, optimiste, vazhdon të mbështesë teorinë e saj; unë, pak më pesimiste, vit pas viti humbas besim tek njerëzit. Nuk preferoj të bëhem e errët në natën e ndërrimit të viteve, por kjo është një temë që na kushtoi një engjëll si Martin Cami dhe një tjetër, 15-vjeçar me iniciale E.B këtë vit.
Dëgjoj kudo fjali të tipit: “Phu, phu, ç’po ndodh me këtë brez? Ky brez i ri që po rritet është i tmerrshëm, këta fëmijë kanë një fjalor skandaloz…” Dhe në asnjë moment nuk e kthejmë shigjetën nga vetja (se autoreflektimi është aftësi e të pakëtve) për t’i bërë vetes pyetjen: Çfarë roli luajta unë në këtë tragjedi?
E di që me vete thoni: Ç’gisht kam unë në këto dy vrasje, dhe kush je ti që po akuzon gjithë popullin?
Unë jam fajtore, si të gjithë ju. Ishte brezi para atij timit, e më pas brezi im, që sollën ngjarjet e vitit të kaluar dhe të këtij që po lëmë pas. Gangsteri, i forti, bullizusi — është djali më i dëshirueshëm i shkollës. Në rast se të hipë në qafë, ti ose do tregosh forcë dhe do arrish “ta mundësh” në thonjëza duke folur të njëjtën gjuhë me të… dhunën, ose do hash dajak. Nëse ha dajak, do përballesh me bullizimin masiv: “Ai të rrafi ty”, ose do vdesësh në intubim, ose në rrugë.
Fajesuam TikTok-un, fajesojmë brezin, fajsojmë këdo e gjithçka, sepse është shumë e vështirë të pranojmë të vërtetën e hidhur: “Në një mënyrë a në një tjetër, ne i vramë këta të rinj.”
I vranë familjet e tyre, që nga dashuria për ta e nga dëshira për t’i mbrojtur nga ato rrethana të pakontrollueshme që përmenda më lart, u thanë: “Po të rane qafë, mos ngulmo, po godit edhe ti.” I vranë breza si ai i imi, që ndër rreshta u thanë: “Po s’iu ktheve sulmuesit, je dështak, po lajmërove njeri që ai ka ardhur me thikë… je spiun.” I vranë 600+ personazhe të TikTok-ut dhe televizionit që kërcënohen me njëri-tjetrin, shajnë, shplaohen. I vranë video-lojërat e dhunshme, të cilat i dhurojnë prindërve 2–3 orë pushim, dhe mbi të gjitha, ideologjia e rrënjosur aq thellë brenda nesh:
“Shqiptari është i fortë, shqiptari s’lejon askënd ta shtypë me këmbë.”
Një popull që krenarinë më të madhe e gjen te forca, pushteti dhe eliminimi i armikut. Dua t’i rikujtoj shqiptarëve se atributet e mësipërme janë lavdëruar dhe kanë dalluar në kohë lufte. Nuk po na lufton njeri për momentin… kështu që boll luftuam me njëri-tjetrin.
Prindërimi nuk ka manual. Të gjithë mundohemi të bëjmë më të mirën për fëmijët tanë. Por sa herë flas për këta dy të rinj, ndër mend më vijnë dy përjetime nënash. Një nënë që qan fëmijën e vdekur, e ndoshta i vë fajin vetes pse e la të shkonte në shkollë atë ditë, pse nuk ishte në dijeni të situatës. Dhe një nënë tjetër që në sytë e krijesës së saj më të dashur sheh një vrasës gjakftohtë, e ndoshta i vë faj vetes në kërkim të përgjigjes: Ku gabova si prind?
Pa e kuptuar kemi mbërritur në fund të këtij dy orëshi sarkastik dhe reflektiv. Për mua gjithmonë data 31 dhjetor është më e bukura e vitit. Fillimet e reja kanë kaq shumë shpresë brenda tyre sa është e pamundur të hidhemi ne vitin që vjen pa sytë me xixa e ëndrra që duket sikur shpërthejnë nga sirtari. Si cdo vit e kam bërë traditë të them në këtë mikrofon ato fjalë që dua ti mbaj si vath në vesh për vitin tjetër me idenë dhe bindjen, se njeri prej jush aty jashtë, njësoj si unë, ka nevojë ti dëgjojë. Lejoni t’ju mërzisin dhe rëndojnë vetëm gjërat që keni në kontroll: Ecuria personale, mirënjohja që tregoni ndaj njerëzve të zemrës dhe vetes, përzgjedhja e kujt mbani rreth vetes, përmirësimet që mund ti bëni vetes në mënyrë që të arrini potencialin tuaj të plotë. Dua t’ju rikujtoj njësoj sic I rikujtoj vetes se me disa dhurata njeriu lind… pjesa tjetër është disiplinë. Ama, ka dicka që vlen më shumë se disiplina, ambicia e dëshira…ajo është dashuria për veten. Vetëm kur të jeni mjeshtra në artin e të dashurit të vetes, atëherë dhe vetëm atëherë, do të mund të doni te tjerët.
Në vitin që vjen, mos kërkoni të jeni perfektë.Kërkoni të jeni më të vetëdijshëm.
Më pak spektatorë.Më njerëzor.Ndoshta nuk mund ti dhurojmë njerëzve që duam gjithcka na do zemra, ama një fjalë e mire, e ndjerë, e vërtetë është falas.
Për vitin 2026 mos harroni, c’do të mbillni, do të korrni.
Nga unë Edea Demaliaj…Natën e mire dhe Gëzuar Vitin e Ri 2026.