Mjeku dhe shkencëtari i njohur francez, Etienne-Emile Baulieu, i konsideruar si “babai” i pilulës së abortit, është ndarë nga jeta në moshën 98-vjeçare në shtëpinë e tij në Paris.
Lajmi u konfirmua nga gruaja e tij, Simone Harari Baulieu, e cila tha se:
Hulumtimi i tij u udhëhoq nga angazhimi për progresin shkencor, përkushtimi ndaj lirisë së grave dhe dëshira për jetë më të mira për të gjithë.
Baulieu u bë i njohur në mbarë botën për zhvillimin e pilulës mifepristone (RU-486), që konsiderohet një alternativë e sigurt dhe e përballueshme ndaj abortit kirurgjikal.
Ai kaloi një jetë të mbushur me ngjarje të mëdha: nga pjesëmarrja në rezistencën franceze kundër nazistëve që në moshën 15-vjeçare, te miqësitë me figura të shquara si Andy Warhol.
I lindur në Strasburg më 12 dhjetor 1926 me emrin Etienne Blum, ai u rrit nga nëna e tij feministe pasi babai i tij ndërroi jetë herët. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai ndryshoi emrin në Emile Baulieu dhe më vonë shtoi edhe Etienne për të nderuar emrin e lindjes.
Pas luftës, Baulieu u bë një mjek dhe studiues i specializuar në hormonët steroidë.
Në vitin 1961, ai u ftua për të punuar në SHBA nga Gregory Pincus, babai i pilulës kontraceptive, i cili e inkurajoi të fokusohej në hormonët seksualë.
Zbulimi i tij më i rëndësishëm erdhi në vitin 1982, kur Baulieu krijoi një mënyrë për të bllokuar hormonin progesteron – thelbësor për implantimin e vezës së fekonduar – çka çoi në zhvillimin e mifepristonit.
Puna e tij nuk kaloi pa kundërshtime. Ai u përball me kritika dhe kërcënime nga kundërshtarët e abortit.
Pas ndalimit të përdorimit të pilulës së abortit në shtetin amerikan të Wyoming në vitin 2023, Baulieu e quajti vendimin “skandaloz” dhe theksoi se kishte kushtuar një pjesë të madhe të jetës së tij “luftës për lirinë e grave”.
Etienne-Emile Baulieu u martua me producenten Simone Harari në vitin 2016. Ai lë pas tre fëmijë, tetë nipër e mbesa dhe nëntë stërnipër e stërmbesa.
Vdekja e tij shënon një humbje të madhe për shkencën dhe të drejtat riprodhuese në mbarë botën.