Celebrities

Ndahet nga jeta “Princi i Fjetur” pas më shumë se 20 vitesh në koma!

Princi Al Waleed bin Khaled bin Talal Al Saud, i njohur nga publiku si “Princi i Fjetur”, ka ndërruar jetë pas mbi dy dekadash në gjendje kome, pas një aksidenti të rëndë me makinë që pësoi në adoleshencë.

I lindur në prill të vitit 1990, ai ishte djali i madh i Princit Khaled bin Talal Al Saud dhe nip i miliarderit të njohur saudit, Princit Al Waleed bin Talal.

Në vitin 2005, kur ishte vetëm 15 vjeç dhe po studionte si kadet ushtarak në Londër, Princi Al Waleed pësoi një aksident të rëndë rrugor që i shkaktoi dëmtime të mëdha në tru dhe gjakderdhje të brendshme.

Megjithëse iu ofrua ndihmë e menjëhershme nga mjekët më të mirë, përfshirë ekspertë nga SHBA dhe Spanja, ai nuk arriti kurrë të rifitonte vetëdijen.

Për më shumë se 20 vjet, ai mbeti në një gjendje kome, duke dhënë vetëm shenja të vogla lëvizjeje, që ngjallnin herë pas here shpresë te familja.

Gjatë gjithë kësaj kohe, babai i tij refuzoi të ndalonte kujdesin intensiv, duke besuar se djali i tij do të shërohej me ndërhyrje hyjnore.

Vdekja e Princit Al Waleed ka prekur thellë familjen mbretërore saudite dhe është përkujtuar nga qytetarë dhe liderë të shumtë në vend dhe jashtë tij.