Kryeministri Edi Rama i ka shprehur ngushëllime ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për ndarjen mbrëmë nga jeta të babait të tij, Haxhi Thaçi.
Baba iku krenar Hashim, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Haxhi Thaçi ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare, në gjendje shëndetësore të rëndë. Ditët e fundit, ai u vizitua nga Hashim Thaçi, i cili mori leje nga Haga, ku ndodhet i arrestuar. Pas vizitës rreth tre orëshe, u rikthye në Hagë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi dhe Nasim Haradinaj nga OVL-UÇK, ngushëlluan familjen Thaçi.
Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të presidentit Hashim Thaçi. Sot, pas një beteje të gjatë me sëmundjen, nuk u shua vetëm një njeri, por një baba që i dha Kosovës një çlirimtar, një burrë që me përkushtimin dhe edukatën e tij ndihmoi në lindjen e një epoke të re për kombin tonë, thuhet në ngushëllimin e kreut të PDK-së. Haxhi Thaçi ishte më shumë se një prind – ai ishte një shtyllë e fortë e vlerave atdhetare, një njeri i urtë dhe fisnik, i cili la pas një trashëgimi të pavdekshme në historinë tonë. U prehtë në paqe!
Mesazhe ngushëllimi edhe nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e kryetari i Aleancës për Ardhmërinë, Ramush Haradinaj.
Me pikëllim mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të z. Haxhi Thaçi, babait të ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi. Humbja e babait është dhimbje e pamatshme, e cila lë boshllëk të pazëvendësueshëm tek më të dashurit.
Presidentja Osmani vlerësoi kontributin dhe dashurinë e Haxhi Thaçit për atdheun, duke shpresuar që ato të shërbejnë si udhërrëfyes dhe kujtime krenarie për të gjithë ata që e kanë njohur.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të! I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!
Në mesazhin e tij, Ramush Haradinaj thekson sakrificat dhe sfidat e jetës së Haxhi Thaçit, duke vënë në dukje se ndarja e tij nga jeta vjen në një kohë edhe më të rëndë për familjen, pasi Hashim Thaçi vazhdon të mbrojë luftën e UÇK-së në Hagë.
Jam pranë mikut dhe bashkëluftëtarit tim, Hashimit dhe mbarë familjes Thaçi në këtë moment dhimbjeje. Zoti ju forcoftë!