Numërimi i votave të garës së balotazhit për Mitrovicën e Jugut dhe që u mbajt dy ditë më parë, më 9 nëntor u ndal përkohësisht, me urdhër të Prokurorisë Themelore atje. Sipas Prokurorisë, ndërprerja e procesit, mbrëmjen e djeshme, ndodhi pas raportimeve për parregullsi.
Për shkak të numrave serikë të ndryshëm në disa fletëvotime është aluduar për gabime teknike e po ashtu ka pasur edhe pretendime se kemi të bëjmë me manipulim të qëllimshëm me fletëvotime, u tha në njoftimin zyrtar të Prokurorisë.
Çfarë deklaroi KQZ-ja?
Në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bëri një sqarim publik ku vuri në dukje se bëhet fjalë për një gabim teknik nga kompania që ka shtypur fletëvotimet. Po ashtu, KQZ-ja pohoi se në disa prej grupeve të fletëvotimeve për Mitrovicën e Jugut dhe Gjakovën, u gabua në shtypjen e kodit të vendvotimit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka komunikuar me kompaninë përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, duke pranuar mundësinë që gabimi të ketë ndodhur në printerin mekanik që vulos të dhënat variabël.
Kompania ka konfirmuar se në ditët në vijim do të përgatisë sqarim zyrtar lidhur me këtë rast, thuhet në njoftimin e KQZ-së, duke shtuar se fletëvotimet nuk mund të falsifikohen e madje as të kopjohen.
Numërimi nuk do të rinisë, deri kur organet e rendit të kenë një përgjigje zyrtare nga operatori ekonomik që ka shtypur fletëvotimet.
Ankesa e Partisë Demokratike të Kosovës, PDK
Dyshimet për manipulime me votat u ngritën nga zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe që sipas rezultateve të para, e humbi garën për kryetar në Mitrovicën e Jugut me kandidatin e saj, Arian Tahiri, përballë Faton Pecit nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Sekretari organizativ i PDK-së, Betim Gjoshi, përmes një postimi në Facebook, tha se PDK-ja do të ankohet për këtë rast në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Ndërkaq, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, u shpreh se me dyshimet e ngritura, PDK-ja po mundohet të shfajësohet për dështimin e saj.
Kur pikërisht PDK-ja tash bërtet ‘kapeni hajnin’, kjo akuzë në fakt është rrëfim për mëkatin e tyre njësoj sikurse mëkatari që rrëfehet për mëkatet që ka bërë, shkroi Murati i LVV-së në Facebook.