Ndahet nga jeta ipeshkvi i Vaut të Dejës, Simon Kulli. Mëngjesin e sotëm, 52 vjeçari pësoi arrest kardiak. Më 2016-ën, Kulli u caktua administrator i dioqezës së Sapës në Vaun e Dejës ndërsa, një vit më pas, më 2017-ën, Papa e emëroi ipeshkv në të njëjtën dioqezë.
Kleriku zëvendësoi në detyrë Imzot Luçiano Avgustinin, i cili po ashtu u nga jeta në mënyrë të parakohshme pas një sëmundjeje të rëndë. Kisha Katolike e Shqipërisë pritet që të dalë me njoftim zyrtar për ceremoninë e varrimit dhe më pas për drejtuesin e ri të kësaj dioqeze.
Kush ishte Ipeshkvi i Sapës?
Simon Kulli lindi më 14 shkurt 1973 në fshatin Pistull të Dioqezës së Sapës, 20 km nga Shkodra. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Pistull.
Më 2 shkurt 1992 hyri në Seminarin Ndërdioqezan Shqiptar “Zoja e Këshillit të Mirë” në Shkodër dhe kryen dy vite parapërgatitje për fillimin e studimeve filozofike e Teologjike.
Në vitin 1994 filloi studimet e Filozofisë; pas dy viteve, në vitin 1996 nisi studimet e Teologjisë, ndërsa me 14 shtator të vitit 1999 u shugurua diakon në Katedralen e Shkodrës.
Gjatë periudhës së diakonatit, nga shtatori deri në janar 1999, shërbeu në Katedralen e Shkodrës me famullitarin Dom Lucjan Avgustini. Nga janari i vitit 2000 e deri në qershor shërbeu në Dajç të Zadrimës me dom Injac Dema Vikarin, Gjeneral i Dioqezës.
Më 29 qershor të vitit Jubilar 2000, u shugurua meshtar po në Katedralen e Shkodrës së bashku me katër meshtarë të tjerë shqiptarë nga Imzot Angelo Massafra. Këta janë shugurimet e para meshtarake që u shuguruan pas 46 viteve të regjimit komunist në Shqipëri.
Pas shugurimit meshtarak, menjëherë u emërua në Dajç të Zadrimës dhe shërbeu si ndihmës famullitar pranë Mons.Injac Demës, e njëkohësisht ishte dhe Sekretar i Ipeshkvit të Dioqezës së Sapës, në atë kohë, Imzot Dodë Gjergjit. Në Dajç shërbeu nga viti 2000-2002. Në vitin 2002, dom Simoni u emërua Kancelar Dioqezan i Sapës.
Prej vitit 2006 e deri para vdekjes ka ushtruar detyrën e Famullitarit të Katedrales “Shën Tereza e Kalkutës” – Vau-Dejës. Nga viti 2001 deri në vitin 2012 kreu detyrën e Drejtorit të Caritasit Dioqezan të Sapës. Po nga viti 2010 deri më 25 maj ushtroi detyrën e Delegatit të Caritasit Dioqezan, si edhe detyrën e Vikarit Gjeneral dhe Ekonomit të Dioqezës së Sapës.