Celebrities Fashion Showbiz

Ndërron jetë në moshën 93-vjeçare stilistja e njohur italiane!

Rosita Missoni, dizajnerja italiane dhe bashkëthemeluese e markës së njohur të modës Missoni, ka ndërruar jetë në moshën 93-vjeçare. Ajo e krijoi shtëpinë e modës në vitin 1953 së bashku me bashkëshortin e saj, Ottavio Missoni. E njohur për stilet e saj të gjalla dhe të pasura me modele, Missoni u bë simbol i modës ndërkombëtare, veçanërisht për koleksionet e saj të veshjeve të thurura shumëngjyrëshe dhe për përdorimin karakteristik të vijave dhe formave gjeometrike, përfshirë modelin e saj të famshëm zigzag.

Rosita lindi në një familje zejtarësh tekstil, në qytetin verior të Vareses. Ajo studioi gjuhët moderne dhe gjatë një udhëtimi në Londër në vitin 1948, ku po përmirësonte anglishten, takoi Ottavion, i cili ishte pjesë e ekipit italian në Lojërat Olimpike të atij viti.

Marka Missoni fitoi famë ndërkombëtare për dizajnet e saj inovative dhe përdorimin e pëlhurave të veçanta, duke ofruar një qasje që shpesh është krahasuar me artin bashkëkohor. Ajo mori shumë çmime për krijimtarinë e saj dhe ndikimin në industrinë e modës globale.