Mes tensioneve të forta që po tronditin familjen Beckham, Brooklyn Beckham duket se po përpiqet të ruajë të paktën një lidhje të shëndetshme familjare: atë me motrën e tij 14-vjeçare, Harper.
Burime pranë tij bëjnë të ditur se qëndrimi i Brooklyn ndaj motrës është dukshëm më i butë dhe mbështetës, ndryshe nga raporti i acaruar që ai ka me prindërit, Victoria dhe David Beckham.
Sipas deklaratave të fundit të bëra nga vetë Brooklyn në rrjetet sociale, marrëdhënia e tij me prindërit ka arritur në një pikë kritike.
Ai i ka akuzuar ata për “përpjekje të pafundme” për të sabotuar martesën e tij me bashkëshorten, aktoren Nicola Peltz Beckham, si dhe për manipulim të mediave me qëllim krijimin e një narrative të rreme rreth konfliktit familjar.
Brooklyn ka qenë i prerë në qëndrimin e tij, duke theksuar se nuk dëshiron pajtim me prindërit dhe se synon të ndërtojë jetën e tij larg ndikimit të tyre. Megjithatë, situata ndryshon kur bëhet fjalë për Harper-in.
Ai ka treguar kujdes të veçantë për të ruajtur një marrëdhënie pozitive me motrën e vogël, duke u përpjekur ta mbajë larg tensioneve dhe konfliktit familjar.
Familja Beckham raportohet se ka qenë e përçarë prej disa muajsh, ndërsa burime të ndryshme sugjerojnë se gjatë kësaj periudhe Brooklyn mund të ketë bllokuar disa anëtarë të familjes në rrjetet sociale, duke thelluar edhe më shumë krizën.
Situata ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare, pasi konfliktet brenda një prej familjeve më të famshme të showbiz-it duket se janë larg zgjidhjes.
Ndërsa marrëdhëniet mes prindërve dhe djalit të tyre mbeten të tensionuara, lidhja e Brooklyn me motrën Harper shihet si e vetmja dritë shprese në një familje të përçarë.