Një studim i fundit i publikuar nga kompania gjermane e sigurimeve shëndetësore DKV ka ngritur shqetësime të mëdha lidhur me stilin e jetesës së popullsisë në Gjermani. Sipas raportit, gjermanët kalojnë mesatarisht mbi 10 orë në ditë në pozicion ulur – një shifër që përbën rritje të ndjeshme në krahasim me një dekadë më parë dhe që konsiderohet nga ekspertët si “rekord alarmues”.
Koha më e madhe në pozicion të palëvizshëm kalon në punë, para ekraneve të kompjuterëve dhe televizorëve, si dhe gjatë udhëtimeve me makinë apo transport publik.
Megjithëse 68% e të anketuarve thanë se arrijnë të kryejnë aktivitetin minimal të rekomanduar fizik nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (rreth 150 minuta në javë), rezultatet e përgjithshme tregojnë se shumica nuk ndjekin një mënyrë jetese vërtet të shëndetshme.
Në fakt, vetëm 2% e popullsisë së anketuar përmbushin të pesë kriteret bazë për një shëndet optimal: aktivitet fizik i mjaftueshëm, dietë e ekuilibruar, përdorim i kufizuar i alkoolit, mos pirje e duhanit dhe mirëqenie mendore.
Për më tepër, vetëm një në tre persona ndjek një regjim ushqimor të shëndetshëm në përditshmëri, ndërsa obeziteti dhe simptomat e stresit kronik po shtohen ndjeshëm, sidomos te grupmoshat e reja dhe te punonjësit e zyrave.
Ekspertët paralajmërojnë se një mënyrë jetese e tillë e ulur dhe pasive rrit ndjeshëm rrezikun për sëmundje kronike si diabeti i tipit 2, problemet kardiovaskulare, tensioni i lartë i gjakut, si dhe çrregullimet e shëndetit mendor.
DKV i bën thirrje institucioneve, punëdhënësve dhe individëve të marrin masa konkrete për të nxitur më shumë lëvizje në përditshmëri – duke përfshirë pushime aktive gjatë orarit të punës, përdorimin e biçikletave për lëvizje urbane, uljen e kohës përpara ekranit dhe ndërgjegjësim më të madh mbi rëndësinë e një jetese aktive për shëndetin afatgjatë.