Në Itali, janë të bindur: “Igor Tudor nuk është më trajner i Juventus”. Pret vetëm njoftimi zyrtar, por mediat në Itali e bëjnë të sigurt shkarkimin e teknikut kroat. Përcaktues në këtë vendim të fortë është ecuria shumë e dobët e “Zonjës së Vjetër” këtë periudhë, përballë Lazio-s pësuan humbjen e tretë radhazi, ndërsa kanë tetë ndeshje që nuk fitojnë.
Pas dështimeve me Komon dhe Real Madrid, bardhezinjtë u ndalën sërish, këtë herë në “Olimpiko” kundër Lacios, në një ndeshje që rikonfirmoi të gjitha problemet e momentit. Igor Tudor, në fund të takimit, nuk e fshehu shqetësimin, por kërkoi bashkim dhe reagim të menjëhershëm.
“Është një moment i keq, shumë i vështirë. Duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe të punojmë më shumë të gjithë së bashku,” tha kroati pas ndeshjes, duke pranuar se zhgënjimi është i madh. Sipas tij, ndeshja ishte përgatitur si duhet, por episodi i gabuar në fillim prishi gjithçka.
“Kostiç po bënre nxehmjen, sepse pashë që Kambiaso hyri keq në ndeshje. Përndryshe, skuadra hyri mirë, përveç gabimit që bëri Devjid dhe golit që pësuam.”
Problemi më i madh i Juventusit tashmë është i dukshëm: skuadra nuk shënon. Bardhezinjtë janë pa gol prej katër ndeshjesh, pavarësisht ndryshimeve të vazhdueshme në sulm dhe eksperimenteve taktike. “Ne shkuam shpesh në zonë, por duhet ta fusim topin brenda. Në mbrojtje nuk duhet të gabojmë asgjë, por gabojmë gjithmonë. Kështu humben ndeshjet,” shtoi Tudor, i cili e pranoi qartë se mungon balanca mes fazës sulmuese dhe asaj mbrojtëse. Trajneri nuk kërkoi fajtorë individualë, por theksoi përgjegjësinë kolektive.
Për momentin, deri në gjetjen e një trajneri të ri, drejtimin e Juves për takimin kundër Udieneses do ta marrë Massimo Brambilla, trajneri i Next Gen, një zgjedhje kjo brenda shtëpisë për t’i dhënë më shumë kohë drejtueseve të klubit për të gjetur profilin e duhur.
Emri i parë në listën e dëshirave është Luciano Spalletti, ky nuk është një sekret, por ideja që ish trajneri i Italisë të pasojë Tudor në Torino po përforcohet gjithnjë e më shumë. Një tjetër ish trajner i Italisë që po lakohet këtë periudhë është edhe Robero Mancini. Ndërkohë jashtë Italisë, këtë periudhë po lakohen emra si Edin Terzic, Xavi dhe Southgate.