Rajoni

Në orën 13:00, Vjosa Osmani nis konsultimet për datën e zgjedhjeve!

Sot në orën 13:00, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nis konsultimet me përfaqësuesit e partive politike për caktimin e datës së zgjedhjeve. Lajmin e konfirmuan burime nga Presidenca për Radion Evropa e Lirë. Sipas ligjit, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh, por jo më herët se 30 ditë.

U raportua se ambasadorët e vendeve të QUINT-it ishin në mëngjes në selinë e qeverisë së Kosovës. Vendet e QUINT-it janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Italia, Franca, si edhe Gjermania.

Njoftim për media nuk ka, por vizita erdhi në ditën kur presidentja Vjosa Osmani mori vendimin për të shpërndarë Kuvendin.

Çfarë ndodh nëse dekreti i presidentes sfidohet në Kushtetuese?

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Radion Evropa e Lirë se Gjykata Kushtetuese mund t’i japë rrugëdalje një situate të tillë nëse dekreti dërgohet për shqyrtim.

Është e pakontestueshme që është shkelur Kushtetuta me moszgjedhjen e presidentit të ri 30 ditë para se të përfundojë mandati i Osmanit, por Kushtetuta këtu nuk parasheh sanksione për shkuarje në zgjedhje.

Miftaraj përmend dy versione se si do mund të vendoste gjykata për dekretin, nëse do të kontestohej.

Ose do ta shpallte të ligjshëm, ose do ta merrte për precedent aktgjykimin, për konstituimin e Kuvendit, ku edhe aty kishte përcaktuar afat 30-ditor për konstituim, por pa përcaktuar më pas sanksion të shpërndarjes nëse afati nuk përmbushet.

I pyetur se a pezullohen procedurat e organizimit të zgjedhjeve të reja nëse dekreti sfidohet në gjykatë, ai thotë se varet a vendos gjykata për masë të sigurisë.

Ndër të tjera, e quajti të pakuptimtë rastin e dërguar në Kushtetuese nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Është një shaka me qytetarët, e padrejtë dhe e pakuptimtë që një juriste si Haxhiu të bëjë gabime të tilla profesionale, të dërgojë në gjykatë pyetje për raste hipotetike si kërkesa e saj.

Osmani nxori dekret për shpërndarje të Kuvendit, pasi ky institucion dështoi ta zgjidhte presidentin e ri deri më 5 mars 2026.  Seanca e djeshme dështoi në mungesë kuorumi, pasi në sallë nuk ishin deputetët e partive opozitare.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të pezullohen afatet kushtetuese në mënyrë që presidenti të zgjidhet brenda 60 ditësh.

Sipas Osmanit, Kushtetuta është e qartë:

Procedurat për zgjedhjen e presidentit mund të nisin 60 ditë para afatit të fundit, por procesi duhet të finalizohet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual.

Presidentja paralajmëroi se datën e zgjedhjeve të reja do ta shpallë pas konsultimeve me drejtues të partive politike.