Neraida Biçaku ishte e ftuara e parë në puntatën hapëse të emisionit “Just Business” me Jonida Alickollin në Top Albania Radio, ku solli një rrëfim frymëzues për rrugëtimin e saj personal dhe profesional brenda platformës ndërkombëtare Global Woman. Në një bisedë të hapur dhe motivuese, Neraida ndau me dëgjuesit sfidat, arritjet dhe përvojat që e kanë shoqëruar në rrugën drejt suksesit si një grua lidere në botën e biznesit dhe sipërmarrjes. Ajo foli për rëndësinë e mbështetjes mes grave, fuqizimit ekonomik dhe ndërtimit të një komuniteti global që inkurajon rritjen dhe bashkëpunimin.
Në përmbledhje të karrierës së saj, Neraida Biçaku ka ndërtuar një profil të fortë si mentore, trajnere dhe lidere biznesi. Me një formim profesional në fushën e komunikimit dhe një përvojë të gjatë në menaxhim e strategji biznesi, ajo është bërë një nga zërat më të angazhuar në promovimin e fuqizimit të gruas në tregun global. Në rolin e saj si drejtore e një prej degëve të Global Woman, Neraida ka organizuar evente ndërkombëtare, ka mbështetur sipërmarrëse në zhvillimin e tyre profesional dhe ka sjellë në vëmendje historitë frymëzuese të grave që guxojnë të ndërtojnë rrugën e tyre. Përmes punës së saj, ajo vazhdon të jetë një shembull i fuqishëm i vizionit, qëndrueshmërisë dhe lidershipit modern. Në lidhje me këtë propozim, Neraida u shpreh:
Në fakt në fillim, rreth 1 vit e gjysmë më parë, mu propozua që të isha pjesë e Global Woman. Nuk e kisha menduar ndonjëherë, pavarësisht se unë jam rritur nga një nënë, edhe nga një baba por e kam humbur pak më herët, dhe ajo ka qenë ndikimi më i madh në formësimin tim të brendshëm se si unë duhet t’i mbështes gratë. Lidhur këtu duke filluar nga shoqëria, shoqet që gjithmonë kam pasur shoqërinë time që i thoja ‘ku do shkosh pa një shkollë, ku do shkosh pa një diplomë, ti duhet të jesh e zonja e vetes, ti duhet të kërkosh të drejtën tënde’. Kam qenë gjithmonë pro pavarësisë së gruas. Jo në kontekstin e pavarësisë ekonomike, pra në atë që interpretohet, por në pavarësinë në dijen e saj. Pra, një grua e ditur, e edukuar dhe e shkolluar është gjithmonë e fuqishme edhe ekonomikisht.
Përsa i përket përfshirjen në Global Woman, ajo shtoi më tej:
Thoja ‘a do ta bëj dot, a do jem ai shembulli i mirë për gjithë këto gra që mua do të më shohin si ai personi që e drejtoj Global, që jap idetë për eventet që organizojmë, që të jem në ndihmë të tyre dhe vërtetë a do frymëzohen nga unë sepse kjo është shumë e rëndësishme, pra ajo çfarë unë do t’i transmetoja atyre’. Eventi i parë është organizuar në Tiranë, në Prill të 2024-ës. Me thënë të drejtën unë kam qenë shumë e emocionuar. Nuk kisha qenë ndonjëherë përballë një numri të madh grash, të cilat kishin ardhur të dëgjonin prezantimin e drejtoreshës së re të Global Woman.