Food & Drink Health & Beauty Just Business - News

Nga ëmbëlsirat te gjyshërit te ëndrra e realizuar, historia e veçantë e themelueses së “Mjalt Dessert Boutique”: Fëmijët e mi, mbështeja ime…

E ftuar sot në emisionin “Just Business” me Jonida Aliçkollin ka qenë Florida Tafani, themeluesja e “Mjalt Dessert Boutique”, një emër që tashmë po bëhet sinonim i cilësisë dhe elegancës në botën e ëmbëlsirave artizanale. Florida ka rrëfyer në Top Albania Radio historinë e saj të veçantë se si një nënë e përkushtuar e tre fëmijëve dhe me një formim akademik në histori, ka arritur të krijojë një biznes që ndërthur traditën, kreativitetin dhe ëndrrat personale.

Nga bankat e universitetit te furra e ëmbëlsirave, nga jeta si nënë te roli i sipërmarrëses, ajo është dëshmi se suksesi nuk vjen vetëm nga arsimi apo përvoja, por nga zemra dhe vendosmëria. Mjalt nuk është thjesht një butik ëmbëlsirash është një tregim i ëmbëlsisë që Florida dëshiron të ndajë me botën. Çfarë e shtyu Floridën që të ndiqte këtë pasion që në fakt nuk ka lidhje fare me formimin e saj akademik?

Që kur kam qenë e vogël me ato pak ingredient që kishim unë kisha dëshirë që të gatuaja diçka të ëmbël të paktën një herë ose dy herë në javë për familjen. 

Si ka qenë fëmijëria e saj?

Unë kam lindur në Elbasan ku kam qëndruar shumë pak vite sepse më pas prindërit më kanë dërguar tek gjyshërit në Dropull, në atë kohë lejohej gjuha greke që ishte nëpër shkolla dhe një herë në javë bënim gjuhë shqipe dhe kur unë kthehesha në Elbasan ndihesha sikur dija një gjuhë të huaj. Pasi bëra filloren unë u ktheva në Elbasan, mbarova tetëvjeçaren, gjimnazin ku  gjatë kësaj kohe shkoja shpesh tek gjyshërit. Një nga kushërinjtë e mi të parë kishte pastiçerinë në Dropull dhe unë rrija aty gjithmonë ndihmoja atë. Kur shkoja me pushime rrija vetëm aty duke ndihmuar djalin e tezes për të bërë ëmbëlsira. Mbarova shkollën për mësuese, u martova, linda fëmijën e parë dhe të dytë dhe u përkushtova pas tyre, por gjithmonë gatuaja si për familjen dhe për shoqërinë dhe më thonin që ta zhvilloja sepse e kam talent. Aty mu shtua më shumë që ta merrja më pas edhe si profesion. Kjo ka qenë shtysa.

Si kanë qenë fillimet për të dhe a ka qenë e vështirë?

Fillimet pak të vështira sepse unë dhe me fëmijët isha shumë e përkushtuar dhe atyre u gatuaja, të gjithë testet i kanë kaluar ata sa herë që mua më vinte në mendje një recetë e re. E kam si pikë të fortë që kur shikoj një frut ose diçka direkt mendoj që mund të shkojë shumë mirë me këtë pa e provuar. Kam këtë imagjinatë që i kombinoj shijet pa i provuar, kjo ka qenë një nga pikat e mia më të forta. Fëmijët më shtynin realisht më shumë duke më thënë që i ke duart flori dhe duhet të provosh diçka më shumë.

Tani si sipërmarrëse si e shikon ajo mbështetjen e familjes?

Ata janë shumë të lumtur për mua dhe kur jam e pakënaqur për diçka që kam bërë ata me ndihmojnë dhe më japin forcën që unë të eci përpara. Janë mbështetja ime më e madhe realisht.