E ftuar në emisionin “Just Business” me Jonida Aliçkolli ka qenë Eniana Isufi Cemurati. Ajo është një juriste me një përvojë mbi dy dekada në sistemin e drejtësisë, me ekspertizë të thelluar në të drejtën civile, administrative dhe kontraktuale. Ajo është themeluese dhe drejtuese e studios ligjore “EIC Legal Services”, e cila ofron mbështetje profesionale dhe të personalizuar për individë dhe biznese, duke i qëndruar besnike vlerave të integritetit dhe profesionalizmit.
Gjatë viteve të karrierës së saj, Eniana ka ofruar këshillim juridik për një gamë të gjerë klientësh, përfshirë biznese të njohura, si dhe ka përfaqësuar me sukses raste të rëndësishme në gjykata administrative dhe kushtetuese. Ajo ka përfunduar studimet e larta në drejtësi dhe një master në të drejtën e biznesit, duke u certifikuar gjithashtu nga institucione ndërkombëtare në fushën e taksave. E angazhuar edhe në çështje sociale, Eniana jep kontribut përmes shërbimeve ligjore pro bono për individë në nevojë. Me përkushtimin e saj të pandërprerë ndaj drejtësisë dhe etikës profesionale, ajo konsiderohet një prej emrave më të vlerësuar në fushën juridike shqiptare. Në lidhje me fillimet dhe dashurisë për karrierën e saj, ajo u shpreh:
Është e vërtetë. Unë kam shumë vite si avokate. Licensën e kam marrë që në vitin 2001, pavarësisht se në fakt se puna ime ka qenë edhe në institucione shtetërore jo vetëm si avokate. Profesionin e avokates e dashuroj sepse është një profesion që nuk është se ti thjesht do të bësh një punë të caktuar në mbrojtjen, apo në dhënie konsulence, por është një punë kërkuese. Që të jesh një avokate e mirë duhet që të kërkosh shumë mirë, në mënyrë që edhe atë që ti bën për klientin të jetë një punë e bukur. Të jetë një punë që të jetë gjithëpërfshirëse dhe pikërisht kjo gjë me natyrën time mua më pëlqen shumë.
Edhe pse në pamje të parë ajo të jep përshtypjen se është e dhënë vetëm pas avokatisë, Eniana na zbuloi se kishe një lidhje të ngushtë edhe me poezinë.
Nuk hyj tek ato avokatët tradicionalë sepse gjithmonë kam qenë shumë e lidhur shpirtërisht me botën e artit. E dashuroj poezinë. E shkruaj poezinë dhe pavarësisht se kanë kaluar shumë vite, tani jam në një moshë tjetër nga ç’ka kam qenë kur kam qenë studente, unë vazhdoj të shkruaj poezi si dikur. Kjo është gjëja që më mban gjithmonë të lidhur me poezinë. Më pëlqen shumë edhe piktura. Më pëlqen edhe teatri. Kështu që mendoj që pjesën e avokatisë e ndjek sepse është puna ime, është profesioni im, por kjo pjesa tjetër më plotëson emocionalisht dhe shpirtërisht.