Celebrities Just Business - News Magazine

Behije Tufa/ Gruaja që ngriti bizneset, frymëzoi gratë dhe shkruan për të lënë gjurmë!

Behije Tufa ishte e ftuar në emisionin “Just Business” me Jonida Aliçkollin në Top Albania Radio, ku ndau me dëgjuesit rrugëtimin e saj frymëzues si sipërmarrëse dhe kontribuese aktive në organizatën ndërkombëtare Global Woman. Ajo foli për rëndësinë e fuqizimit të grave dhe përvojën e saj në ndërtimin e rrjeteve mbështetëse për gratë në diasporë, duke e cilësuar këtë angazhim si një mision personal dhe profesional. Behije theksoi se pjesëmarrja në Global Woman i ka hapur dyer të reja për zhvillim, frymëzim dhe bashkëpunim me gra nga e gjithë bota.

Përveç veprimtarisë së saj në këtë organizatë, Behije Tufa është themeluese dhe drejtuesja e bizneseve “Duka Farmaci” dhe “Ambra Event”, të cilat operojnë me sukses në tregun shqiptar. Ajo është gjithashtu e angazhuar në fushën akademike dhe kulturore, si autore e disa librave që trajtojnë tema me interes kombëtar dhe edukativ. Me një profil të pasur profesional dhe një përkushtim të veçantë për komunitetin, Behije Tufa përfaqëson shembullin e një gruaje lidere që i bashkon pasionin, dijen dhe iniciativën në çdo fushë ku vepron. Si lidhet letërsia me të bukurën e të bërit evente speciale, por edhe me farmacinë?

Ta nis me të parën time që është mësuesia që unë e dashuroj. Është profesion që të shkoj nga të shkoj, por atë nuk mund ta lë pas dore. Do të thuash pse? Ai është art, është inspirim. Të bashkëpunosh me adoleshentë është gjëja më e bukur. Jep edhe merr një kënaqësi të paparë. Kjo më bën të jem edhe më afër librit. “Ëndrra pa recetë” është bërë kohët e fundit, duke qenë se unë jam mësuese koordinatore në shkollë, që është një risi në arsim. Pjesa e koordinatores është si ne i mbështesim fëmijët rreth dëshirave që ata kanë dhe jo pa qëllim unë atë libër e kam bërë edhe dramë. E kam dramatizuar me nxënësit e klasës së 9 dhe doli një gjë e shkëlqyer.

Pavarësisht këtij profesioni, ajo ngriti edhe biznesin e saj “Ambra Event” përpara 10 vitesh. Më shumë për këtë sfidë, ajo shtoi:

“Ambra Event” ka lindur që para 10 vitesh. Është një kompani e vogël, jo shumë e madhe, por ka vite që punon në arredimin e eventeve, dasmave, hapjeve të restoranteve, hoteleve, por duke qenë se jam pak si shumë e impenjuar nuk është se i kam kushtuar atë fokusin kryesor në 12 muajve të vitit. E kam lënë vetëm 3 muajt e verës, duke qenë se jam edhe në punë në arsim.

Nuk mund të lëmë pa përmendur edhe farmacinë, përse kjo zgjedhje biznesi?

Unë jam mami i dy vajzave. Njëra është mjeke, tjetra farmaciste. Dhe mami i dy djemëve. Njëri është për menaxhim biznesi dhe tjetri është farmacist. Domethënë tre fëmijë i kam në degët e mjekësisë. Kjo ndoshta ka qenë që umë duhet të hapja një biznes që vajza të kishte punën e vet, të mos punonte diku tjetër në një farmaci tjetër. Kjo ishte shtysa ajo e parë. Është gjë e bukur. Unë kaloj orë goxha tek farmacia, pasi pjesën e menaxhimit e bëj vetë.