Food & Drink Health & Beauty Just Business - News

Torta me gorgonzola dhe me tartuf?! Kombinimet unike të ëmbëlsirave në “Mjalt Dessert Boutique”dhe recetat që e dallojnë…

E ftuar sot në emisionin “Just Business” me Jonida Aliçkollin ka qenë Florida Tafani, themeluesja e “Mjalt Dessert Boutique”, një emër që tashmë po bëhet sinonim i cilësisë dhe elegancës në botën e ëmbëlsirave artizanale. Florida ka rrëfyer në Top Albania Radio historinë e saj të veçantë se si një nënë e përkushtuar e tre fëmijëve dhe me një formim akademik në histori, ka arritur të krijojë një biznes që ndërthur traditën, kreativitetin dhe ëndrrat personale.

Nga bankat e universitetit te furra e ëmbëlsirave, nga jeta si nënë te roli i sipërmarrëses, ajo është dëshmi se suksesi nuk vjen vetëm nga arsimi apo përvoja, por nga zemra dhe vendosmëria. Mjalt nuk është thjesht një butik ëmbëlsirash është një tregim i ëmbëlsisë që Florida dëshiron të ndajë me botën. Si lindi ideja për t’ia vendosur emrin “Mjalt” vetë Florida zbulon se:

Duke qenë se unë një nga ingredientët kryesor kam mjaltin në përgatitjen e ëmbëlsirave, doja që ti vendosja një emër shqiptar. 

Realizimi i recetave për ëmbëlsirat bëhet po nga vetë Florida e cila tregoi ndër të tjera se:

 Çdo gjë unë e përgatis vetë, normalisht që ka disa baza që duhen blerë si mielli apo sheqeri por që çdo tjetër po. 

Kur po diskutonte me Jonidën në lidhje me llojet e tortave që Florida realizon, ajo zbuloi se tortat ruse i ka të preferuarat sepse mënyra e realizimit të tyre është shumë e veçantë.

Ato bëhen me disa peta të cilat piqen në furrë, bëhen shumë të holla kështu që një tortë bëhet me 10 shtresa të tilla dhe me 10-12 shtresa krem dhe del një tortë me 22 shtresa të holla dhe elegante. Ky brumë përgatitet me mjaltë dhe me gjalp, ka receta që kanë dhe reçelin dhe djathin parmigiano, apo edhe gorgonzola. Po ashtu me fik dhe të marinuar me verë të kuqe për 24 orë. Këto torta nuk haen të freskëta në kuptimin që sapo e bëra ta konsumosh, jo duhet ta lëmë 12 orë që të marinohet. Do dy ditë që të përgatitet.

Ajo tregoi gjithashtu se torta me tartuf është gjithashtu mjaft e veçantë.

 Një tortë me tartuf dhe me kumbull të marinuar dhe me parmigiano. Tek tartufi ka qenë çudia më e madhe.

Çfarë e bën “Mjalt Dessert Boutique”  të ndryshëm nga pastiçeritë e tjera?

Me këto lloj procesesh që kanë këto torta dhe cheesecake artizanal, duan kohë për t’u përgatitur. Duke qenë se duan kohë ti nuk mund t’i prodhosh në masë, siç prodhon një pastiçeri.