Just Business - News Magazine

Përvjetori i 10-të i “Global Woman Club” / Mirela Sula realizon me sukses samitin në Londër me pjesëmarrës nga e gjithë bota

Neraida Biçaku dhe Behije Tufa ishin të ftuara në emisionin “Just Business” me Jonida Aliçkollin në Top Albania Radio, ku ndanë me dëgjuesit rrugëtimin e tyre shumëvjeçar në Global Woman dhe festuan së bashku 10-vjetorin e krijimit të kësaj organizate ndërkombëtare. Gjatë bisedës, ato folën për mënyrën se si Global Woman është kthyer në një platformë që fuqizon gratë në mbarë botën përmes rrjeteve, eventeve dhe frymëzimit të ndërsjellë. Të dyja theksuan rëndësinë e përfaqësimit të grave shqiptare në këtë komunitet global dhe ndikimin pozitiv që ka pasur Global Woman në jetën e mijëra grave të angazhuara në sipërmarrje, liderizëm dhe zhvillim personal.

Me një përvojë të konsoliduar brenda organizatës, Neraida Biçaku, Behije Tufa dhe shumë gra të tjera, kanë dhënë kontribut të çmuar në zgjerimin e aktivitetit të Global Woman edhe në Shqipëri, duke organizuar takime dhe iniciativa që promovojnë bashkëpunimin dhe fuqizimin ekonomik të grave. Ato përfaqësojnë jo vetëm një model suksesi në lidershipin femëror, por edhe një urë lidhëse mes diasporës dhe vendit, duke e kthyer Global Woman në një zë të fuqishëm për gratë shqiptare në skenën ndërkombëtare. Festimi i 10-vjetorit nuk ishte vetëm një përvjetor simbolik, por një dëshmi e vizionit afatgjatë për një komunitet më të bashkuar dhe të vetëdijshëm për potencialin e vet.

Ai u zhvillua me anën e një samiti në Londër, nga organizimi i Mirela Sula, ku bëri bashkë njerëz të fuqishëm dhe plot suksese. Për më shumë rreth mënyrës se si shkoi ky event, Neraida shtoi:

Festimi i 10- vjetorit të krijimit të Global Woman nga Mirela Sula, një brand-i kaq të fuqishëm dhe kaq të madh në të gjithë botën tani që njihet nga të gjitha gratë biznesmene, sipërmarrëse shumë të fuqishme, startoi me ceremoninë e ndarjeve të çmimeve më 9 Mars në Londër, ku është edhe data e themelimit të Global Woman Club. Pastaj, samiti është një eveniment që ndodh çdo vit dhe bëhet për të bërë bashkë të gjitha gratë nga e gjithë bota, të gjitha drejtoreshat e Global Woman Club nga e gjitha bota, nga çdo vend ku ne kemi përfaqësi. Të gjitha marrin pjesë, të gjitha kanë një kontribut, një parapërgatitje shumë impenjative, për ta finalizuar pastaj në ditët që u bë samiti.

Behija ishte një ndër shqiptaret që na përfaqësoi në këtë event botëror. Si ishin ndjesitë e saj?

Për mua ishte hera e parë dhe duke qenë se ishte herë e parë nuk e kisha imagjinuar aq këndshëm, aq bukur. Ne kishim qenë edhe herë të tjera, ishim lidhur herë të tjera me Global Woman, por atje ishte diçka ndryshe. Ishte risi. Çdo gjë ishte bukur. Ishte plot ngjyrë, plot jetë. Me të vërtetë jam ndjerë këndshëm teksa dëgjoja shoqet e mia, apo ato përfaqësues atje, që shpreheshin aq bukur arritjet e tyre në jetë. E veçanta e atij samiti ishte vetë Mirela. Ishte plot energji. Nuk kam parë femër aq energjike sa ajo.