Ndjesia e rëndesës, lodhjes dhe ngurtësisë në këmbë është një problem i zakonshëm, veçanërisht te gratë, që kanë një rrezik 30% më të lartë për ta përjetuar.
Sipas një studimi të publikuar në revistën “Open Heart”, këto shqetësime shpesh lidhen me zgjerimin e venave, i cili vjen si pasojë e mosfunksionimit të valvulave që ndihmojnë qarkullimin e gjakut.
Venat e zgjeruara shfaqen për arsye të ndryshme – nga mosha, shtatzënia, çrregullimet hormonale, qëndrimi i gjatë ulur apo në këmbë, deri te predispozitat gjenetike dhe obeziteti.
Kjo gjendje shoqërohet me simptoma si ndjesi rëndese, dhimbje, ënjtje, kruarje, dhe në raste të rënda, ulcera.
Një tjetër shkak i rëndësishëm është sëmundja e arteries periferike (PAD), që ndodh kur yndyrnat bllokojnë arteriet dhe kufizojnë qarkullimin e gjakut në këmbë. Faktorët e rrezikut përfshijnë kolesterolin e lartë, diabetin, pirjen e duhanit dhe hipertensionin.
Edhe stërvitja e tepërt mund të çojë në ndjenjën e këmbëve të rënda, sidomos tek atletët që nuk i japin trupit kohë të mjaftueshme për rikuperim.
Si mund të ndihmoni veten në shtëpi?
Disa masa të thjeshta mund të lehtësojnë simptomat:
– Ndaloni duhanin;
– Merrni pushime nga aktivitetet intensive;
– Ngrini këmbët mbi nivelin e zemrës;
– Përdorni masazh për qarkullim më të mirë;
– Vishni çorape kompresive;
– Ulni peshën nëse është e nevojshme;
– Lëvizni më shumë për të përmirësuar qarkullimin e gjakut.
Nëse simptomat vazhdojnë, rekomandohet të konsultoheni me një mjek për diagnozë dhe trajtim të mëtejshëm.