Seriali “Adolescence” pritet të rikthehet me një sezon të dytë, pas suksesit të jashtëzakonshëm që ka pasur në platformën Netflix.
Vetëm disa javë pas publikimit, prodhimi u rendit si seriali i katërt më i ndjekur në gjuhën angleze dhe pritet të ngjitet në vendin e tretë me mbi 114 milionë shikime.
Sipas Deadline, kompania e prodhimit “Plan B”, themeluar nga aktori Brad Pitt, është në bisedime me regjisorin Philip Barantini për realizimin e sezonit të ri.
“Adolescence” ndjek historinë e Jamie Miller, një djalë 13-vjeçar (luajtur nga Owen Cooper), i cili përballet me akuza për vrasjen e një vajze në klasën e tij.
Seriali, i përbërë nga katër episode të filmuara në një pamje të vetme, ofron një përvojë vizuale të fortë dhe emocionale për publikun.
Përveç transmetimit në platformën Netflix, seriali do të jetë i disponueshëm edhe përmes shërbimit edukativ Into Film+. Ndërkohë, organizata bamirëse Tender po përgatit materiale mbështetëse për të nxitur diskutime rreth marrëdhënieve të shëndetshme mes të rinjve.