Film & Tv

A janë shtuar vitet e fundit filmat me “bromance”?

Rreth mijëvjeçarit të ri, maskuliniteti në filma nisi të marrë një drejtim që sfidonte idenë se burrat mund të shfaqnin emocione në ekran vetëm përmes dhunës ose joshjes. Filmat e Judd Apatow, dhe ata që e ndoqën pas, vendosën miqësinë mashkullore në qendër të rrëfimit. Megjithatë, zakonisht ishte shumë e vështirë që ndjeshmëria të shprehej drejtpërdrejt. Në valën e parë të “bromance”-ve në ekran, çdo shfaqje e ndjeshmërisë emocionale duhej të mbulohej me një shtresë humori, edhe në një film që titullohej fjalë për fjalë I Love You, Man. (“Të dua, Bro Montana… Broseph Goebbels… Tycho Brohe.”)

Por në vitet 2020, duket se bromance-i është rritur. Një treshe filmash të fundit përqendrohen pa ndrojtje në anën terapeutike të lidhjes mashkullore, pa sarkazëm mbrojtëse. Quajeni “maskulinitet jo-toksik”: burra që gjejnë gjuhën për të shprehur veten në një mënyrë që rrallë e kemi parë më parë në kinema – dhe që ndoshta kemi më shumë nevojë për të se kurrë më parë. Qoftë nga ndjenja e një misioni shoqëror apo nga seancat e terapisë të skenaristëve, këta filma ndajnë të njëjtin besim: mënyra më e mirë për të qenë “bro” është të flasësh hapur.

Ata rregullojnë marrëdhënien duke kuptuar se nuk kanë pse ta zgjidhin njëri-tjetrin.

Është e qartë pse burrat e “Sing Sing” të Greg Kwedar kërkojnë një mënyrë të re të të qenit burrë. Ata janë të burgosur në një burg shtetëror dhe për disa prej tyre, pikërisht mënyra e vjetër e të qenit burrë i çoi aty. Shpëtimi vjen në formën e një programi teatrore brenda burgut, bazuar në një organizatë të vërtetë, “Rehabilitation Through the Arts”, pjesëtarët e së cilës janë pjesë e kastit të filmit, që u ofron jo vetëm arratisje mendore, por edhe një hapësirë për të lidhur marrëdhënie në mënyra të reja. Mes njëri-tjetrit ata përdorin fjalën “i dashur”, dhe përmes ushtrimeve teatrale qesharake e bisedave të ndjera, ata mësojnë të lidhen ndryshe edhe me veten.

Burri më i frikshëm në oborr (Clarence “Divine Eye” Maclin, që luan një version të vetes) shndërrohet në një Hamlet plot shpirt, ndërsa lideri jozyrtar i trupës, Divine G (i nominuari për Oscar Colman Domingo), përballet me faktin se ai ka përdorur dijen dhe ambicien për t’u ndjerë superior ndaj të tjerëve. Filmi ka një mesazh të qartë shoqëror, por çdo ndjesi e një “filmi edukativ” prishet në momentin e performancës kulmore, një komedi qesharake për udhëtime në kohë, mumje, Robin Hood dhe Freddy Krueger – që të kujton fjalët e mëparshme të Divine G mbi ushtrimet aktoriale. “Janë super qesharake,” i thotë ai një të sapoardhuri. “Por kanë një qëllim: të ndihmojnë të gjesh thellësinë tënde.”

Për burrat e Sing Sing, trupa teatrore bëhet si një familje e gjetur. Një tjetër film i nominuar për Oscar, “A Real Pain”, fokusohet në sfidat që sjell një familje e vërtetë. Ai ndjek dy kushërinj që përpiqen të rilidhen me rrënjët e tyre dhe me njëri-tjetrin gjatë një udhëtimi përkujtimor mbi Holokaustin në Poloni. David (Jesse Eisenberg, që gjithashtu shkroi dhe drejtoi filmin) është nervoz dhe shumë i vetë-analizuar. Benji (Kieran Culkin, fitues i çmimit Oscar për Aktor në Rol Dytësor) është jashtëzakonisht simpatik dhe njëkohësisht i pamundur, një plagë e hapur që dominoi çdo skenë. “E dua dhe e urrej dhe dua ta vras dhe dua të jem si ai,” u thotë David bashkëudhëtarëve. (Ndërkohë, Benji e përshkruan kushëririn si “një tip fantastik i bllokuar në trupin e dikujt që gjithmonë vonohet”.)

Shumë prej nesh do e shohim veten te David. Por ndoshta duhet të jemi pak më shumë si Benji. Ndërsa katarsisi që kërkonin në Poloni nuk vjen, ata e përmirësojnë marrëdhënien duke kuptuar se nuk kanë pse ta “riparojnë” njëri-tjetrin. Përmes bisedave të gjata dhe të vështira, ata mësojnë të jetojnë me kontradiktat.

Vetëm duke parë në sy zbrazëtinë e ndryshimit, këta burra mund të gjejnë ndjeshmërinë për të lejuar njëri-tjetrin brenda.

Edhe dinamika “batanije e lagur / tipi i çmendur” rifillon në filmin e këtij muaji Sacramento, një film rrugëtimi për dy shokë të vjetër që ndërmarrin një udhëtim të papritur drejt kryeqytetit të Kalifornisë. Edhe ky film është bashkë-shkruar dhe drejtuar nga njëri prej aktorëve, Michael Angarano. Por ndryshe nga Eisenberg, ai ia dha vetes rolin më argëtues: Rickey, një llafazan që ëndërron të bëhet këshilltar për njerëzit që përballen me dhimbje, përballë Glenn-it të Michael Cera-s, një baba i ardhshëm shumë i ankthshëm.

Në Sacramento, shakaja është që të dy personazhet janë aq krenarë që kanë bërë “punën emocionale” sa që secili e sheh veten si terapistin më të pjekur në këtë miqësi. Ajo që pason është një qark humori pa fund ku secili përpiqet të analizojë problemet e tjetrit, apo siç thotë njëri prej tyre: “A nuk quhet kjo ‘gaslighting’?”

Filmi vendos theksin në pyetjen: a mund të veprojnë me ndjeshmëri dy burra që i dinë të gjitha fjalët e duhura? Përgjigjja vjen përmes një lloj “terapie ekspozuese”: vetëm duke parë në sy frikën nga ndryshimi, ata mund të gjejnë ndjeshmërinë për të lejuar njëri-tjetrin të afrohet. Sa simbolike është që njëri prej tyre është luajtur nga Michael Cera – një aktor që, më shumë se një dekadë më parë në Superbad e prodhuar nga Apatow, kishte vështirësi të thoshte “Të dua” mikut të tij më të mirë. “Pse nuk e themi më shpesh?” pyeste atëherë. Tani mundet. Dhe shpresojmë që edhe publiku që e ndjek, ta ketë më të lehtë gjithashtu.