Nga sot, Policia e Shtetit merr në dorë sigurinë e Aeroportit “Nënë Tereza”. Kryepolici Ardi Veliu tha se masa vjen si domosdoshmëri pas grabitjes së djeshme dhe mosgarancisë për masa nga koncesionari. Ardi Veliu tha se Forcat e Rendit do të bashkëpunojnë me Policinë Ushtarake dhe Aeroporti i Rinasit do të shndërrohet në model.
“Grupi hetimor është duke punuar intensivisht. Policia është duke punuar 24 orë dhe do të bëjë të mundur ta zbardhë këtë ngjarje. Jemi në rritje të parametrave të sigurisë. Në momente të caktuara nuk kemi gjetur bashkëpunimin e duhur nga kompania që është përgjegjëse për sigurinë në Rinas. Nisur nga kjo, me urdhër të kryeministrit, shefi i komisariatit të policisë së Rinasit merr përgjegjësinë e drejtimit, menaxhimit, kontrollit dhe bashkëpunimit me kompaninë në aeroport për të mundur kthimin e sigurisë në aeroport. Ne do të kërkojmë çdo ditë rritjen e parametrave të sigurisë”, tha Veliu.