Policia ka finalizuar në Durrës operacionin ndërkombëtar të koduar “Fury”, në kuadër të të cilit janë arrestuar dy persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, të shpallur në kërkim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut për një sërë veprash të rënda penale.
Operacioni u zhvillua nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, partnerët amerikanë të Shërbimit Diplomatik të Sigurisë (DSS) në ambasadat e SHBA-së në Tiranë dhe Shkup, si dhe homologët maqedonas.
Në pranga kanë rënë shtetasit M. Xh., 26 vjeç, lindur në Shkup, dhe S. N., 34 vjeç, lindur në Norvegji. Për të dy, INTERPOL kishte lëshuar urdhra arresti ndërkombëtar për akuzat e vrasjes, plagosjes, armëmbajtjes pa leje dhe kryerjes së veprave penale në kuadër të një organizate kriminale në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Sipas policisë, gjatë momentit të arrestimit, dy të kërkuarve iu gjetën dokumente identifikimi të dyshuara të falsifikuara, të cilat dyshohet se i kanë përdorur për të dalë nga territori i Maqedonisë së Veriut dhe për t’iu shmangur drejtësisë.
Në vijim të operacionit është arrestuar në flagrancë edhe shtetasi nga Maqedonia e Veriut, Xh. R., 26 vjeç, i dyshuar se u ka siguruar dy personave të kërkuar dokumentet false të identifikimit.
Ai akuzohet për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”. Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi të vogël lënde të dyshuar narkotike Cannabis Sativa.
Operacioni “Fury” është rezultat i një bashkëpunimi disa-mujor mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe partnerëve ndërkombëtarë, përmes ekipeve të përbashkëta hetimore dhe veprimeve të koordinuara operacionale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve, ndërsa Policia e Shtetit ka falënderuar partnerët amerikanë të DSS dhe autoritetet ligjzbatuese të Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në këtë operacion.