Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sot pritet të votojë një rezolutë që synon mbrojtjen e anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, por në një formë të zbutur, pasi Kina ka kundërshtuar çdo autorizim për përdorimin e forcës.
Diplomatët thonë se teksti i ri, rezultat i disa raundeve negociatash, ka më shumë gjasa të miratohet, megjithëse rezultati mbetet i pasigurt.
Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm që prej sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit në fund të shkurtit, duke nxitur një konflikt që ka hyrë në javën e gjashtë.
Si kundërpërgjigje, Teherani ka mbyllur pjesërisht Ngushticën e Hormuzit, një arterie jetike për furnizimin global me energji. Bahreini, që kryeson aktualisht Këshillin me 15 anëtarë, ka udhëhequr përpjekjet për një tekst kompromisi, duke u mbështetur nga shtetet e tjera arabe të Gjirit Persik dhe Uashingtoni.
Drafti i fundit nuk përmban më referenca për përdorim force apo zbatim detyrues. Në vend të kësaj, “inkurajon fuqimisht” shtetet që përdorin rrugët detare tregtare në Ngushticën e Hormuzit të koordinojnë përpjekjet e tyre mbrojtëse për të siguruar sigurinë e lundrimit.
Teksti parashikon masa si shoqërimi i anijeve tregtare dhe mbështet përpjekjet për të penguar çdo tentativë për mbylljen ose ndërhyrjen në qarkullimin ndërkombëtar.
Për miratimin e rezolutës nevojiten të paktën nëntë vota pro dhe asnjë veto nga pesë anëtarët e përhershëm: SHBA, Britania, Franca, Rusia dhe Kina.
Javën e kaluar, Kina kundërshtoi hapur një version që autorizonte përdorimin e forcës, duke paralajmëruar se kjo do të legjitimonte veprime të paligjshme e do të përshkallëzonte më tej konfliktin.
Nga ana tjetër, Irani ka deklaruar se kërkon një armëpushim të qëndrueshëm dhe kundërshton presionin për rihapjen e Ngushticës. Presidenti amerikan, Donald Trump paralajmëroi se Irani mund të “nxirrej jashtë” nëse nuk arrin një marrëveshje brenda afatit të së martës në mbrëmje.
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, pas një bisede me homologun rus, tha se Pekini është i gatshëm të bashkëpunojë me Moskën në Këshillin e Sigurimit për të ulur tensionet në Lindjen e Mesme.
Mënyra më e mirë për zgjidhjen e krizës është arritja e një armëpushimi sa më shpejt të jetë e mundur. Kina, si blerësi më i madh në botë i naftës që kalon përmes Ngushticës së Hormuzit, ka interes të drejtpërdrejtë për stabilitetin e rajonit.