Prej ditës së sotme (29 gusht), nis faza e parë e aplikimit në universitete. Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu ka publikuar të gjithë hapat që duhet të ndjekin të rinjtë për t’u regjistruar në një nga degët ku janë shpallur fitues.
Fillimisht, të rinjtë duhet të identifikohen te Këndi i Maturantit duke përdorur ID-në e maturës, për të kontrolluar në kohë reale statusin e tyre. Degët fituese do të jenë të shënuara me ngjyrë jeshile, ndërsa me ngjyrë të verdhë do të jenë të shënuara degët ku shpallen fitues në fazën e ardhshme. Afati për t’u regjistruar është 48 orë. Në rast mosregjistrimi brenda këtij afati, humbet e drejta për t’u regjistruar në këtë fazë.
Për t’u regjistruar në degën fituese, duhet që studenti të paraqitet në Sekretarinë e Fakultetit me kartën identitetit dhe dokumentet e nevojshme. Ky vit ka shënuar një numër më të lartë të aplikimeve në institucionet e arsimit të lartë. Rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, deklaroi se 60% e tyre i janë drejtuar Universitetit të Tiranës.
Sivjet janë 500 më shumë që do i drejtohen bankave të universiteteve dhe që në veçanti, Universitetin e Tiranës e kanë përzgjedhur më shumë këtë vit nga viti i shkuar. Në numër absolut rreth 160 studentë të ardhshëm.
Edhe pse nuk foli për degë që rrezikojnë mbylljen, rektori Hoxha pranoi problematikën në rang vendi që kanë disa degë të Mësuesisë me një preferencë të ulët të aplikimeve.
Gjuhët e Huaja, mësuesit e Shkencave të Natyrës dhe disi me ata që lidhen me Histori-Filologjinë, gjuha greke, gjuha ruse kanë vuajtur gjithmonë. Eshtë ulur numri në gjuhë të tjera, në programet e shkencave të natyrës: Kimi, Fizikë. Tregu i punës është delikat. Tregon se ka më shumë prirje për të shkuar në shkenca të tjera sesa në shkencat e mësuesisë.