Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.
DJI Matrice 400
DJI Matrice 400 ka zbritur nga qielli me një mesazh të qartë: “Po kërkoni një dron për dasma? Jo jo Ky është për misione që djegin – literalisht.” Kjo bishë fluturuese qëndron në ajër deri në 1 orë – mjaftueshëm sa për të gjetur edhe macen që ke humbur që në 2018-ën. Me 6 kg ngarkesë, mund të marrë me vete kamerën, megafonin, projektorin, laptopin dhe ndoshta edhe ushqimin për darkë.
Obstacle avoidance? Legjendar. Me LiDAR + radar, nuk përplaset dot as me hijen e vet. Fluturon pranë shkëmbinjve, xhamave, detit, errësirës… ndoshta edhe mendimeve të errëta. Dhe nëse humbet rrugën? Kthehet vetë në shtëpi – edhe nëse ke harruar t’i thuash ku banon. Video transmetim deri në 40 km, dhe nëse s’të mjafton – përdor një tjetër Matrice si relé. Sepse pse të mos dërgosh dy dronë për të parë një kabull tensioni?