Rajoni

Një i dënuar me 2 vjet burg për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it e Policisë së Kosovës!

Gjykata Themelore e Prishtinës sot dënoi me burg dhe gjobë një person, pasi pranoi fajësinë për dhunën e ushtruar ndaj ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, si dhe atyre të Policisë së Kosovës, dy vjet më parë.

Lubisha Milkoviç u dënua me dy vjet burgim dhe 14.000 euro gjobë për sulm ndaj ushtarëve te KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në protestën e 29 majit 2023 në komunën e Zveçanit.

Milkoviç e pranoi fajësinë në një marrëveshje me Prokurorinë Speciale, e cila e akuzoi për veprat penale, sulm ndaj personit zyrtar dhe pjesëmarrje në një turmë që kreu vepër penale dhe huliganizmi.

Avokati mbrojtës i Milkoviçit, Millosh Deleviç, tha se marrëveshja për pranimin e fajësisë u arrit me vullnet të plotë, siç raporton “Betimi për Drejtësi”. Milkoviç u arrestua më herët këtë vit dhe gjykata tha se ai do të mbahet në paraburgim derisa të merret vendim i formës së prerë.

Më shumë se 90 pjesëtarë të KFOR-it pësuan lëndime, disa prej tyre të rënda pas përleshjes me protestuesit serbë në majin e atij viti. Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe mes protestuesve.

Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviç e Zubin Potok, komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit dhe që u bojkotuan nga serbët.

Autoritetet kosovare kanë arrestuar dhe akuzuar dhjetëra të dyshuar për dhunën në Zveçan, vitin e fundit. Deri tani, disa persona janë dënuar me burgim pas marrëveshjeve me prokurorinë për pranimin e fajësisë në lidhje me dhunën në Zveçan.

Kosova ka akuzuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Por, Beogradi e hedh poshtë këtë akuzë e shprehet se qeveria e Kosovës po synonte të shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”. NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës.