Lifestyle

Një këshillë për karrierën nga Mary Poppins: Gjeni argëtim dhe puna kthehet në lojë!

Para këshilltarëve të karrierës dhe planeve të ndërlikuara, ishte Mary Poppins ajo që na kujtonte: “Në çdo punë që duhet bërë, ka një grimcë argëtimi. Gjeni argëtimin dhe puna kthehet në lojë!”. Ky mesazh i thjeshtë, por i mençur, mund t’ju udhëheqë në rrugëtimin profesional.

1. Trajtojeni karrierën si fushën tuaj të lojës

Bëjeni punën të lidhet me gjërat që ju sjellin kënaqësi. Nëse ju pëlqejnë fletoret, ngjyrat apo rendi, ndoshta ambientet akademike apo rolet organizative janë për ju. Mendoni: Çfarë më sillte gëzim kur isha fëmijë? Shpesh, kthimi te pasioni i hershëm sjell qetësi dhe motivim.

2. Jepuni jetë detyrave të mërzitshme

Monotonia është pjesë e çdo pune, por shpesh një detaj i vogël mjafton për ta ndryshuar të ndryshuar mënyrën si e përjetojmë. Një lodër simbolike në tavolinë, një këngë e preferuar apo një ritual i thjeshtë mund ta bëjnë edhe detyrën më të lodhshme më të lehtë për t’u përballuar.

3. Nëse nuk ka aspak argëtim, ndryshoni diçka

Kur përpjekjet për ta bërë punën më të këndshme nuk funksionojnë, merreni si shenjë. Mund të bëni ndryshime të vogla brenda rolit tuaj, ose të mendoni për një drejtim të ri. Merrni në dorë rrugën tuaj profesionale për të shmangur lodhjen dhe mërzitjen afatgjatë.

4. Konsideroni një portofol karriere

Një portofol karriere përfshin disa role në të njëjtën kohë, punë që ju japin kënaqësi në mënyra të ndryshme. Edhe pse mund të fillojë si një hobi apo punë shtesë, shpesh kthehet në një rrugë të plotë dhe të veçantë profesionale.

5. Ndajeni argëtimin me kolegët

Humori dhe loja në vendin e punës nuk janë shpërqendrime, por mjete të fuqishme për rritjen e kënaqësisë, bashkëpunimit dhe shëndetit mendor. Studimet tregojnë se të qeshurit në punë ul stresin dhe forcon ekipin. Pra, mos ngurroni të sillni pak humor, do të ndiheni më mirë dhe do të punoni më mirë.

Dhe mos harroni rolin e organizatës

Nëse jeni drejtues apo ndikoni në kulturën e punës, krijoni një mjedis ku lejohet (madje inkurajohet) gëzimi. Një grimcë argëtimi në përditshmëri mund të rrisë motivimin, rezistencën dhe mirëqenien.

Mary Poppins ndoshta nuk ishte eksperte karriere, por kishte një të vërtetë të madhe: “Një lugë me sheqer e ndihmon ilaçin të kalohet më lehtë”. E njëjta gjë vlen edhe për karrierën tuaj, ndonjëherë, mjafton një ‘lugë’ argëtim. / shqip.al