Himara vijon të digjet nga flakët, që një ditë më parë rrezikuan edhe banorët në fshatin Sasaj, si edhe ata në Kalasë të Delvinës, të cilët u evakuuan. Aktualisht raportohet për vatra aktive në Sasaj, tre në Lukovë e një në Shën Vasil. Zjarrfikësit punuan gjatë gjithë natës për të vënë nën kontroll zjarret e favorizuara nga era e që rrezikonin të zbrisnin drejt zonave të banuara.
50 banorët e Sasajt të evakuuar mbrëmjen e djeshme qëndruan në qendër të fshatit pasi flakët iu afruan banesave të tyre. Ndërkohë, zjarri i ardhur nga zona që lidh fshatrat e Delvinës me të Himarës ka bërë që Lukova e Shën Vasili të kenë rrezikshmëri.
Forca të shumta të zjarrfikësve, si dhe uniformat blu e emergjencat civile kanë më shume se 60 orë që qëndrojnë në terren pasi zjarri rikativizohet sa herë nis era. Edhe këtë mëngjes, zjarri është aktiv në Lukovë. Pritet ndërhyrje me helikopterë.
Zjarri vijon edhe në malin e Skërficës. Në orën 05:00, trupa e shërbimit zjarrfikës të Gjirokastrës, së bashku me forcat mbështetëse të bashkisë, u nisën në drejtim të malit të Skërficës për izolimin e flakëve që vijnë nga Delvina. Në terren janë angazhuar 6 punonjës të MZSH-së, 15 punonjës të shërbimeve publike.
Në fshatin Zhulat ka disa trungje masive që vazhdojnë të digjen, por pa rrezikshmëri dhe monitorohen nga shërbimi zjarrfikës për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm.
Zjarri vijon edhe në Parkun Kombëtar të Prespës, ku 150 forca gjenden në terren duke punuar për shuarjen e flakëve. Perfekti i Korçës, Nertil Jole raportoi se 150 forca po punojnë për shuarjen e flakëve e shtoi se janë favorizuar edhe nga ulja e temperaturave. Deri tani llogaritet një sipërfaqe prej 7 hektarësh me bimësi, e djegur nga flakët.
Që para dy ditësh kemi marrë njoftim nga stacioni i pikës kufitare Goricë për një vatër zjarri të shfaqur këtu në Parkun kombëtar të Prespës, edhe falë një reagimi shumë të shpejtë të strukturave vendore të stafit të Agjencisë Rajonale të Zonave të Mbrojtura, u bë e mundur që të ketë një mobilizim me reagueshmëri të lartë edhe të shpejtë.