Aktualitet

Një shishe ujë tepër, efektivi dhe miku i tij dhunojnë kamerierin 18 vjeç në Vlorë!

Në qytetin e Vlorës, një kamerier 18 vjeç u dhunua nga një efektiv policie jo në shërbi, si edhe një person tjetër. Ngjarja ndodhi mbrëmë, në mjediset e një lokali. Raportohet se ish-shefi i qarkullimit të Vlorës, Ardian Isufi, dhe një person tjetër i njohur për blutë e Vlorës, shtetasi Leart Bimo u konfliktuan me kamerierin, siç mësohet, se i çoi një shishe ujë më tepër.

Pamjet e publikuara në media tregojnë se i riu Ron Balaj po qëndronte pranë banakut kur i pari që iu afrua ishte Isufi, i cili pasi foli me të e goditi me shpullë në faqe. Më i ashpër u tregua Bimo duke i dhënë shpullë e grushta.

Balaj bëri kallëzim në polici dhe u mor në pyetje nga blutë e Vlorës, bashkë me të tjerë punonjës e dëshmitarë. Deri në këto momente, nuk ka një reagim zyrtar nga Policia e Vlorës, ndërsa vetë i riu tregoi për mediat si nisi sherri dhe momentin e dhunës.

Quhem Ron Balaj, jam 18 vjeç. Erdhën dy zotërinj, u ulën në tavolinë. Porosinë e mori dikush tjetër e mua thjesht më thanë që t’ua çoja. Porosia ishte një shishe e madhe uji, një shishe e vogël, një makiato. Ia çova në tavolinë dhe tjetri më thotë vetëm një ujë sill. Po vëlla, ta heq unë ujin i thashë. Shau dhe herë të tjera. Ia hoqa ujin nga tavolina, i thashë vëlla do ta heq unë ujin, vetëm s’ka nevojë të shash, se edhe ai tjetri padashje e ka bërë.

Vijnë të dy burrat më ndjekin deri në banak. Jo po pse ashtu, jo po pse kështu. Vjen më kap me dorë ai, jo po pse flet ti tërë po…. I thashë, vëlla, të lutem mos kap me dorë. Menaxheri ishte aty, i thashë të lutem mos kap me dorë. Vjen ai tjetri nga pas dhe më qëllon tre herë. Të parën me dackë e dy të tjera me grusht, m’u në mes të lokalit, se i çova një bidon më tepër. Kaq ishte e gjitha.