Dashuria nuk është një ndjenjë e vetme dhe lineare, por një përvojë që merr forma të ndryshme në etapa të ndryshme të jetës. Sipas psikologëve, shumica e njerëzve kalojnë të paktën nëpër tre dimensione kryesore të saj: epshin, pasionin dhe angazhimin.
Epshi konsiderohet si faza më e hershme dhe më instinktive. Ai lidhet me tërheqjen fizike dhe dëshirën e menjëhershme ndaj dikujt. Është një ndjenjë e fuqishme, shpesh e papritur dhe intensive, por zakonisht nuk zgjat shumë.
Shpesh ngatërrohet me dashurinë e thellë, ndonëse në thelb mbështetet kryesisht te kimia fizike dhe jo te një lidhje e konsoliduar emocionale.
Më pas vjen pasioni, i njohur ndryshe si periudha e “syve të mbyllur”. Në këtë fazë, partneri duket ideal dhe marrëdhënia përjetohet me emocione të forta, mall dhe nevojë të vazhdueshme për afërsi.
Kjo është etapa që krijon lidhjen emocionale, por njëkohësisht mund të sjellë zhgënjime kur idealizimi përballet me realitetin.
Forma më e qëndrueshme dhe e pjekur e dashurisë është angazhimi. Ai ndërtohet mbi përkushtimin, mirëkuptimin dhe pranimin e ndërsjellë, duke përfshirë edhe dobësitë e njëri-tjetrit.
Kjo është dashuria që i reziston kohës dhe sfidave të jetës, nga problemet financiare te sëmundjet apo humbjet, sepse bazohet jo vetëm në ndjenjë, por në një zgjedhje të vetëdijshme për të ecur përpara së bashku.
Secila nga këto forma luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin emocional të njeriut, duke ndërtuar mënyrën se si ne e kuptojmë dhe e përjetojmë dashurinë.