Gossip Showbiz

“Nuk ishte skandal, por…” Rrëfimi i dhimbshëm i Paris Hilton që tronditi Capitol Hill?

Paris Hilton ka vendosur të flasë pa filtra për një nga plagët më të mëdha të jetës së saj, duke rikthyer në vëmendje kasetën intime të vitit 2004, e cila u publikua pa pëlqimin e saj. Ajo theksoi se ajo që për vite me radhë u etiketua si “skandal”, në të vërtetë ishte një formë e rëndë abuzimi.

Të enjten, më 22 janar, Hilton mbajti një fjalim në Capitol Hill, krah kongresmeneve Alexandria Ocasio-Cortez dhe Laurel Lee, në mbështetje të Aktit DEFIANCE.

Projektligji, i miratuar nga Senati javën e kaluar, synon t’u japë viktimave të përmbajtjeve seksuale të krijuara ose të manipuluara me inteligjencë artificiale të drejtën për të ndjekur ligjërisht personat që i prodhojnë, shpërndajnë apo i kërkojnë këto materiale.

Gjatë fjalës së saj, Hilton u ndal te periudha më e errët e rinisë, duke përshkruar pasojat emocionale që la pas publikimi i videos intime.

Kur isha 19 vjeç, një video private u shpërnda në mbarë botën pa pëlqimin tim. Të gjithë e quajtën skandal. Nuk ishte i tillë. Ishte abuzim

-u shpreh ajo, duke shtuar se në atë kohë mungonin plotësisht ligjet që do ta mbronin, ndërsa interneti ishte ende një territor i paeksploruar, bashkë me format e reja të dhunës që solli.

Hilton rrëfeu se reagimi publik ishte shkatërrues: tallje, ofendime dhe heshtje përballë dhimbjes së saj.

Sipas saj, vuajtja personale u kthye në sensacion dhe klikime, ndërsa asaj iu kërkua të heshtte dhe të vazhdonte përpara sikur asgjë nuk kishte ndodhur.

Ajo sqaroi gjithashtu se nuk përfitoi asnjëherë financiarisht nga publikimi i videos.

Shumën prej 400 mijë dollarësh që mori nga ish-partneri Rick Solomon, i cili kishte publikuar materialin, ajo e dhuroi për bamirësi.

Unë pata mundësinë ta rimarr historinë time, por shumë njerëz nuk e kanë këtë luks

-tha Hilton.

Ajo theksoi se imazhet e tilla nuk zhduken kurrë, por mbeten të gjalla në kujtesë, njësoj si forca për të folur dhe për t’u shëruar.

Sot qëndroj këtu pa turp: jam një grua, një nënë dhe një e mbijetuar. Ajo që më ndodhi ishte e gabuar dhe do të vazhdoj të flas për çdo vajzë dhe çdo grua.

Në autobiografinë e saj “Paris: The Memoir”, botuar në vitin 2024, Hilton zbulon se ishte ndier nën presion nga ish-partneri për realizimin e videos, me premtimin se ajo do të mbetej private.

Ajo rrëfen se, për të përballuar traumën, konsumoi alkool dhe qetësues, ndërsa në momentin kur videoja u bë publike, marrëdhënia e tyre kishte përfunduar prej kohësh.