Rajoni

Nuk ka konstituim të Kuvendit të Kosovës as në përpjekjen e 9-të!

Deputetët dështuan sërish ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës në përpjekjen e nëntë, pasi nuk kaloi propozimi i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për votim të fshehtë për kryeparlamentarin. Ndryshe nga herët e kaluara, nuk u propozua kandidati për kryetar të Kuvendit nga partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, foli para mediave pas dështimit të përpjekjes së nëntë për konstituimin e Kuvendit.  Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e Albin Kurtit “ka vendosur ta vazhdojë talljen”, teksa shtoi se me propozimin për ndërrim të formës së votimit LVV-ja ka bërë “shkelje të hapur kushtetuese”.

Krasniqi ka përsëritur qëndrimin e partisë së tij kundër votimit të të propozuarës së LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

Nuk kalon Albulena Haxhiu dhe pikë.

Ai pyeti se çfarë borxhi i ka Kurti Haxhiut që nuk po ndryshon emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit, siç kanë kërkuar partitë tjera. Krasniqi  shtoi se Kurti po e konsideron më të rëndësishme Haxhiun se Kuvendin e Kosovës.

Edhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka folur para mediave pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

U bë edhe një shkelje tjetër kushtetuese, ligjore, me arbitraritet u tentua të ndryshohet mënyra e votimit. Rregullorja e Kuvendit përcakton mënyrat e votimit… Kjo përcaktohet në fillim të procesit. Asnjëherë në histori nuk ka ndodhur të ndryshohet procesi dhe është shkelje që mënyra e votimit të ndryshohet pasi ka filluar procesi.

Deputetja e LDK-së ka thënë se partia e saj sot nuk mori pjesë në takimin e thirrur nga kreu i LVV-së, Albin Kurti, pasi “nuk dëshiron të ketë një marrëveshje politike me LVV-në”.

Dehari propozoi që votimi për kryetar të Kuvendit të bëhet në mënyrë të fshehtë, me “me fletvotime fizike”. Në mëngjes, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pati një takim me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai tha se për PDK-në është me rëndësi të zhbllokohet kjo situatë, të konstituohet Kuvendi dhe se Kurtit i ka sugjeruar “të mendojë për kandidat apo kandidatura të tjera” për kryetar.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, tha se konstituimi i Kuvendit “vështirë të bëhet pa marrëveshje politike koalicioni, që përcakton shumicën parlamentare”. Ndërkaq, Lidhja Demokratike akuzoi LVV-në se “nuk ka vullnet politik për zgjidhjen e problemit”.