Rajoni

Nuk ka paqe në Malin e Zi, thellohet kriza politike!

Në Mal të Zi vazhdon bojkotimi i Parlamentit, ndërsa duhej të votohej projekt-buxheti i qeverisë për vitin 2025 duke e thelluar kështu krizën politike dhe ekonomike në vend.

Ndërsa opozita po pengon punën e Parlamentit duke kërkuar tërheqjen e vendimit për daljen në pension të një anëtareje të Gjykatës Kushtetuese, shumica parlamentare tha se në këtë mënyrë po rrezikohen institucionet shtetërore në Malin e Zi.

Seanca u ndërpre disa herë, pasi deputetët e opozitës bllokuan foltoren. Kryeparlamentari Andrija Mandiç i paralajmëroi për veprimet e tyre në sallë.

Ai e kritikoi opozitën për qëndrim joparimor e që po rrezikon autoritetin e parlamentit.

Autoriteti i këtij parlamenti po vihet në pikëpyetje dhe qytetarët duhet të dinë se kjo sjellje do t’i dëmtojë institucionet e përgjithshme në vend.

Ndërkaq, opozita malazeze kundërshton mbajtjen e seancës parlamentare derisa të zgjidhet çështja e Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që nuk është kundër konsultimit të Qeverisë me Komisionin e Venecias për krizën kushtetuese.

Përfaqësuesi i opozitës malazeze, Danijel Zhivkoviç tha se do të pengojë çdo seancë parlamentare që shpërfill kërkesën për anulimin e vendimit për nxjerrjen në pension të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Kur nuk respektohet Kushtetuta e vendit dhe anulohet vendimi i Këshillit Kushtetues, opozita do të pengojë mbajtjen e seancave të rregullta parlamentare.

Në anën tjetër, situatën politike në Malin e Zi po e rëndojnë edhe protestat e studentëve, ku kryeministrit Milojko Spajiç, këtë javë i parashtruan kërkesën duke theksuar dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Danilo Sharanoviç dhe zv.kryeministrit për Sigurinë dhe Mbrojtjen, Aleksa Beçiç.

Ata kërkojnë përgjegjësi nga udhëheqësit politikë dhe autoritetet e sigurisë, pas vrasjes së 13 personave dhe plagosjen e disa të tjerëve më 1 janar në Cetinë.

Organizator i këtyre protestive është grupi i studentëve “Kamo Sutra”, të cilët theksuan se nuk kanë lidhje me asnjë parti politike dhe se protestat do t’i vazhdojnë dhe po i organizojnë pa asnjë ndikim partiak.