Aktualitet

Nuk ka probleme me qarkullimin rrugor, pavarësisht temperaturave të ulëta!

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaroi sot se edhe pse moti ka qenë me ngrica nuk ka pasur probleme me qarkullimin rrugor. Në raportin mbi situatën e motit për ditën e sotme, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku sqaron se temperaturat kanë variuar nga -2 në jug, -6 në verilindje dhe në pjesën juglindore -10 gradë. Nuk ka patur probleme në rrjetin e ujësjellësit dhe stacionet e pompimit. Po ashtu Balluku njofton se nuk ka pasur probleme me portet dhe aeroportet në vend.

Gjatë natës janë raportuar 3 defekte në rrjetin TM dhe 2 defekte në pjesën 35V duke prekur 5 mijë abonentë. Në nënstacionin e Tiranës 220 V pësoi një avari një transformator duke nxjerrë jashtë pune fiderin 20kv. Avaria u riparua për 50 minuta, ndërsa pati stakim vetëm 17 minuta për furnizimin me energji të qytetarëve. Ulja e temperaturave ka rritur me 50% ngarkesën e rrjetit, shkak për avari kryesisht në qendër të vendit.

Dita e sotme shënohet nga një tërheqje e valës së ftohtë duke sjellë rritje të temperaturave në Ultësirën Perëndimore. Por, në zonat malore në lindje të territorit mbeten prezente ngricat. Sipas shërbimit MetoAlb, orët në vijim do të jenë nën ndikimin e motit me alternime vranësirash e kthjellimesh. Më të theksuara, vranësirat paraqiten në verilindje e juglindje.

Drejtoresha e Politikave dhe Strategjive të Zhvillimit të Arsimit dhe Sportit, Zamira Gjini, bëri të ditur se, pas vendimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për të mbyllur të gjitha shkollat në vend tri ditët e para të kësaj jave, për të mbrojtur fëmijët nga kushtet e vështira atmosferike, nesër mësimi do të vijojë normalisht. Gjini tha se arsyet e pezullimit treditor të mësimit lidhen edhe me kushtet që kanë nxënësit për të shkuar në shkollë, ku mjaft rrugë janë të pakalueshme për shkak të ngricave të shumta.

Mbyllja e shkollave për këto shkaqe ka ndodhur edhe në vite të tjera, kur ka pasur reshje dëbore dhe ulje të temperaturave. Janë marrë parasysh më shumë zonat e thella të Shqipërisë dhe shkollat nuk duheshin mbyllur vetëm në disa qytete, pasi ulja e temperaturave ka prekur gjithë territorin e vendit. Janë vetë Zyrat Vendore Arsimore dhe drejtoritë e shkollave që do të merren me përcaktimin e kalendarit për zëvendësimin e këtyre ditëve.

Vlerësohet se këto ditë kanë shërbyer gjithashtu edhe për të mos rritur numrin e infektimeve.